Tiranë, 21 korrik NOA Update - Konfirmohet rasti i parë i gripit të derrave në Shqipëri, por nuk ka vend për panik, deklaroi sot pas mesdite në një komunikim me mediat, Instituti i Shëndetit Publik në Tiranë.
Sakaq, ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo ka bërë të ditur sot se edhe pse analizat kanë nxjerrë të prekur nga virusi H1N1, një djalë 21-vjeçar, gjendja e tij është jashtë rrezikut dhe ai nuk konsiderohet bartës i virusit vdekjeprurës.
Sipas Godos, pacienti aktualisht ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore dhe nën kujdesin e rreptë të mjekëve.Ndërkohë që sipas ministres së Shëndetësisë, tetë vetë kishin qenë në kontakt me pacientin e infektuar me virusin e gripit të derrave por nuk ka rrezik për ta.
Shëndetësia shqiptare kishte bërë të ditur më parë se mund të ketë raste tjera të dyshuara me grip, për shkak të shqiptarëve që kishin mbërritur në vend nga Greqia vend i cili prej ditësh ndodhet në gjendje pandemie.
Autoritetet Shëndetësore, kanë deklaruar sot që nuk ka vend për panik në komunitet, ndërsa bënë të ditur se të gjithë personat që kanë shenjat e gripit do të kontrollohen nga mjekët e familjes.
Por njëkohësht, konfirmohet se janë edhe tre persona të tjerë, të dyshuar me gripin e derrave, mes të cilëve dhe një shtetas i huaj. Ministria e Shëndetësisë deklaroi sot në mesditë se po përpiqet të mbajë nën kontroll situatën.
k.k/NOA