English

Gripi i derrit, Shqipëria mes frikës dhe pasigurisë ndaj virusit AH1N1

Speciale

Tiranë, 21 korrik NOA -Prej katër muajsh Shqipëria ka përjetuar me ankth mbërritjen e rastit të parë në vend me gripin e derrit AH1N1 deri mbrëmjen e së hënës, më 20 korrik, kur ai u deklarua zyrtarisht.

Ishte data 27 prill kur OBSH konfirmoi mbërritjen e virusit nga kontinenti amerikan në Evropë, dhe vendi i parë që u prek prej tij ishte Spanja.

OBSH në një mbledhje urgjente në Gjenevë rriti shkallën e rriskut në nivelin 3 duke deklaruar se përhapja e pandemisë ishte më e shpejtë sa c'mund të mendohej.

Për këtë arsye, vendet duhet të nisnin përgatitjet për të menaxhuar situatën në një rast të mundshëm epidemie.

Edhe Shqipëria, në bazë të këtyre rekomandimeve, ngriti Komitetin e Punës për menaxhimin e krizës në ministrinë e Shëndetësisë.

Por zyrtarët e lartë u kujdesën të qetësojnë popullatën se situata është në kontroll dhe ende s'ka asnjë rast të konfirmuar.

Menjëherë vëmendja u përqëndrua në kufi, atje ku mendohej se mund të identifikohej virusi.

Vëzhgimet mediatike treguan se kjo nuk ishte e mundur pasi mungonte personeli i nevojshëm për të kryer një kontroll të imët në pikat kufitare.

Ndërsa Spanja shtonte rastet me AH1N1, harta e rriskut të pandemisë sa vinte e shtohej, në të nisën të renditeshin Britania e Madhe, Austria, Italia e shumë shtete të tjera të zhvilluara të Evropës.

Me shtimin e personave të nfektuar, më 11 qershor OBSH ngriti në 6 nivelin e rrriskut dhe shpalli pandeminë globale. Njëkohësisht ajo i këshilloi qeveritë që të përgatiten për betejë të gjatë kundër virusit H1N1.

Tashmë frika lexohej kudo, edhe tek zyrtarët e lartë shqiptarë, por virusi nuk dukej gjëkundi. I vetmi ngushëllim për Evropën ishte fakti që virusi i gripit të derrit deri tani po shfaqte forma të lehta të tij, ndryshe nga çfarë ishte vënë re në Meksikë e SHBA.

Sipas OBSH rastet ishin sporadike dhe jo shpërthime në komunitet përveç Britanisë së Madhe në të cilën ky virus shkaktoi dhe vdekje.

Rasti i parë në këtë shtet ishte një një pacient në Skotlandë.

Por deri këtu, Shqipëria ende dukej e qetë, frika ende nuk dukej në horizont.

Më 20 maj, Greqia konfirmon rastin e parë me gripin e derrit AH1N1, të prekurit ishin emigrantë shqiptarë.

Pandemia kishte ardhur fare pranë. Me ardhjen e sezonit turistik dhe ardhjes së emigrantëve në atdhe, rreziku ishte shumë i madh.

Pas Greqisë, edhe Serbia, Bosnja, Maqedonia e Mali i Zi nisën të raportonin rastet, ndërsa në Shqipëri ende flitej me dyshime.

Rreth 100 analiza u dërguan vetëm gjatë muajit qershor jashtë vendit, në laboratorin e referencës në Rumani, midis tyre shtetas të huaj e shqiptarë, por asnjë përgjigje pozitive.

Ku fshihej vallë virusi?

Të gjitha rastet e dyshuara që dërgoheshin jashtë kishin lidhje epidemiologjike që do të thotë se kishin pasur hyrje dalje nga një vend i prekur nga gripi i derrit.

Por asnjë prej tyre nuk rezultoi positive madje as analizat e një diplomati të ministrisë së jashtme i cili u shtrua në spitalin Infektiv me shenja të gripit të derrit, temperaturë të lartë deri në gjendje kome.

Dhjetë ditë më parë një student me origjinë nga Gjirokastra, banues në Tiranë, u shtrua për disa orë në spitalin Infektiv të QSUT, shkak ishte këputja e gjymturëve dhe një dhimbje fyti e padurueshme, ndërsa temperatura rreth 38 e gjysëm. Pas analizave të kryera aty studenti nuk shfaqte shenja të një infeksioni në grykë apo ndonjë sëmundje tjetër. Mjekët e mjekuan me një trajtim tradicional në një rast gripi të zakonshëm por e specifikuan si rast të dyshuar dhe i morën kampion gjaku për analizë.

Mes 30 pacientëve të paraqitur atë ditë në urgjencë, ky ishte rasti i vetëm i cili u dërgua jashtë për tu analizuar.

Më 20 korrik mbërrijnë përgjigjet e 5 analizave nga Rumania, vetëm njëra është positive dhe pas verifikimit në spital rezultoi se i përkiste studentit nga Gjirokastra.

Drejtori i ISHP, Alban Ylli, deklaron se çdo ditë në Institutin e Shëndetit Publik vazhdojnë të vijnë mostra të dyshuara.

" Mund të themi që virusi i ri pandemik ka qarkullim komunitar.

Pra nuk është çështje vetëm e udhëtarëve, por është e qytetarëve shqiptarë", ka deklaruar ai.

Shqipëria ka deklaruar se do të blejë rreth 10 mijë doza tamiflu, medikamenti antiviral që trajton viruset e ndryshme të gripit.

Aktualisht në gjendje është një stok prej 10 mijë dozash që do të shërbejë për kurimin e 5 mijë personave.

Ministrja e Shëndetësisë ka deklaruar se ka gati fondin prej 350 mijë euro i mbetur pa u përdorur nga një projekt i Bankës Botërore për gripin e shpendëve.

Situata duket në kontroll, nuk ka vend për panic, madje dhe apeli i ministres Godo ishte i tillë, vazhdoni jetën e qetë por jo të natës, pra jo grumbullimeve në komunitet në ambiente pa ajër dhe kontakte me mjekun e familjes nëse vëreni shenja të gripit.

Sezoni i vjeshtës pritet të rëndojë situatën në vend, pasi Shqipëria si të gjitha vendet që bëjnë pjesë në hemisferën veriore futen në stinën e gripit të zakonshëm.

Specialistët vërejnë me shqetësim se kjo do të përkeqësojë situatën pasi do të kemi qarkullim të dy viruseve në vend duke shtuar rrezikun në shëndetin e popullatës.

Sipas rekomandimeve të OBSH është menduar që paraprakisht me daljen në treg të vaksinës së re të AH1N1, të vaksinohen grupet e rriskut pasi mbulimi i i gjithë popullatës është i pamundur.

Si fillim do të vaksinohen fëmijët nën 5 vjeç, gratë shtatëzëna dhe të sëmurët kronikë.

Por OBSH ka rekomanduar që jo vetëm këto kategori të jenë prioritare pasi rëndësi duhet t'i jepet jetës sociale të secilit, psh punonjësit e bankës, të institucioneve qeveritare.

Deri tani, kjo sëmundje është regjistruar në 74 shtete, ka infektuar 30 000 persona dhe ka shkaktuar vdekjen e 141 prej tyre. Edhe pse vendet e prekura jane pajisur mire me antivirale duket qartë se pandemia ende përbën një problem madhor. Virusi A H1N1 po merr përmasa të medha dhe në territoret evropiane duke prekur shumë njerëz.

m.i/NOA

KOMENTE