Tiranë, 21 korrik, NOA - Në Shqipëri pritet të konfirmohen raste të reja të prekjes së popullatës me virusin H1N1, i cili shkakton sëmundjen e gripit të derrave.
Një fakt të tillë e ka pohuar spt në mëngjes për mediat, drejtori i Insititutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli.
Por gjithsesi sipas tij, nuk ka vend për panik dhe nuk duhet që aktiviteti i përditshëm të ndërpritet në asnjë mënyrë.
"Eshtë një problem që mund të përballohet në mënyrë të koordinuar dhe nuk duhet ndërprerë aktiviteti i përditshëm", ka deklaruar ai, pasi publiku ka mësuar dje në mbrëmje se në Shqipëri është konfirmuar rasti i parë i prekjes me gripin e derrit.
"Rasti me virusin H1N1, që para 10 ditësh. Por studenti ka patur një prekje të lehtë nga virusi", u shpreh Ylli lidhur me një fakt të tillë.
Ndërkaq, situata në Spitalin Infektiv të Tiranës paraqitet në gadishmëri të plotë dhe janë mbyllur shkallët e punohet vetëm me ashensor.
Ndërkohë, dje ministrja e Shëndetësisë Anila Godo, deklaroi se të paktën 80 raste të dyshuara kishin shkuar për analizë por "deri tani nuk kemi pasur asnjë të diagnostikuar".
Duke shtuar se "gripi i derrave ose ka mbërritur ose pritet të vijë".
n.e/NOA