Tiranë, 21 korrik, NOA - Nëpërmjet deputetit të saj të qarkut të Shkodrës, Partia Socialiste ka ripërsëritur sot reagimin e saj të fortë kundër projekteve më të fundit të qeverisë.
Bëhet fjalë këtu për ngritjen e akcizës për disa mallra, si dhe rritjen indirekte të taksave doganore për mallrat që nuk vijnë nga vendet e Bashkimit Europian, e kryesisht nga Kina nëpërmjet ndryshimit të mënyrës së zhdoganimit.Â
"Në 6 muajt e parë të vitit 2009 mungojnë në arkën e shtetit 122 milionë dollarë nga mosmbledhja e të ardhurave. Mosrealizimi në mbledhjen e të ardhurave ka në çdo zë të hyrave përveç tatimit mbi të ardhurat personale.
Në 6 muajt e parë të vitit 2009 është mbledhur vetëm 4.7 % më shumë tatim mbi vlerën e shtuar se në 6 muajt e parë të vitit 2008, gjë që kundërshton edhe deklarimet për rritje reale të produktit të brendshëm bruto me 6 %" bëri të ditur PS.
Sipas Partisë Socialiste, rritja e akcizës për kafenë dhe cigaren si dhe rritja indirekte e detyrimeve doganore për mallrat që nuk vijnë nga vende të Bashkimit Europian do të ndjehet direkt tek konsumatorët me të ardhura mujore të pakët. Shtrenjtimi i kafesë dhe i cigareve do t'u marrë çdo muaj pensionistëve të qytetit, gjysmën e rritjes së pensionit që përfituan në 1 maj.
"Do të vijojmë të bëjmë publike dështimet e qeverisë në administrimin fiskal dhe do të vazhdojmë të kundërshtojmë përcjelljen e barrës së dështimeve tek konsumatorët dhe sipërmarrësit" thuhej më tej në deklaratën e PS-së.
Â
Â