Elbasan, 22 korrik, NOA - Shok ka sjellë në Elbasan lajmi se "Doda", siç njihet ndryshe 42-vjeçari Roland Rexhepi, ka mbetur i vrarë pasi u qëllua nga persona të armatosur në një atentat pranë shtëpisë së tij.
Ngjarja ndodhi në orën 06.30 në lagjen "Vullnetari" të qytetit të Elbasanit.
Sipas të dhënave policore për agjencinë e Lajmeve NOA, nga hetimet e para besohet se kanë qenë të paktën dy persona të armatosur, të cilët hapën zjarr ndaj 42-vjeçarit, pikërisht kur ai po dilte nga banesa e tij.
Autorët janë larguar menjëherë nga vendngjarja, ndërsa policia është duke kryer verifikimet e para dhe duke ngritur pistat.
"Doda" njihej në vite si krah i djathtë dhe truproja i ish-Drejtorit të Policisë së Qarkut Elbasan, Edmond Koseni, në vitet 1998-2001.
"Doda", për vite me radhë ishte aktiv në sektorin e Antidrogës në drejtorinë policore të Elbasanit por prej afro dy vjetësh nuk ishte më në radhët e policisë pasi u bë pjesë e punonjësve të policisë që iu nënshtruan reformës.
"Doda" kishte marrë pjesë në një varg aksionesh policore sidomos në periudhën që policinë e Elbasanit e drejtonte me dorë të fortë Edmond Koseni i cili më pas u arrestua dhe u shkarkua nën akuzat e shumta për keqtrajtim të shtetasve.
Sipas burimeve policore, këto ditë, "Doda" priste të rikthehej në radhët e policisë ndërsa këto kohë po merrej me një biznes privat.
Policia ka ngritur pistat e para të hetimit, ku spikat ajo e vrasjes për motive hakmarrjeje për shkak të detyrës.
/a.k/e.l/NOA/