Bruksel, 22 korrik, NOA - Në Ballkan mbizotërojnë forcat integruese dhe prandaj ky rajon ka për të bërë para në rrugën e vështirë të integrimit drejt strukturave euro-atlantike.
Një fakt të tillë e ka pohuar vetë ministri i Jashtëm i Suedisë, Carl Bildt, vendi i të cilit kryeson presidencën e Bashkimit Evropian. Në një fjalim që ka mbajtur para Parlamentit Evropian, Bildt është shprehur se ka bindjen që rajoni i Ballkanit është zhvilluar pozitivisht në aspektin e integrimit.
Sipas kreut të diplomacisë suedeze, ndyshimet e tilla janë të rëndësishme për politikat e integrimit të Bashkimit Evropian për këtë rajon. "Do të thoja se, për herë të parë për një kohë të gjatë, forcat e integrimit në rajonin e Ballkanit kanë filluar të jenë më të fuqishme se sa forcat e dezintegrimit. Kjo është me rëndësi kritike që ne të ruajmë shpejtësinë në politikat tona të integrimit për këtë rajon të veçantë", tha Bildt.