Kajro, 22 korrik, NOA - Presidenti i Sudanit, Omar Al-Bashir, po takohet me presidentin egjiptian, Hosni Mubarak në Kajro si pjesë e një iniciative të re për t'i dhënë fund konfliktit në Darfur, i cili llogaritet se ka shkaktuar 300 mijë viktima.
Egjipti është një nga mbështetësit kryesorë të presidentit Al-Bashir, që kërkohet nga Gjykata Ndërkombëtare Penale me akuzat për krime lufte në rajon.
Kajro po përpiqet që qeveria e Bashir dhe grupet rebele të ulen në tryezën e negociatave.
Të shtunën zyrtarë egjiptianë u takuan me udhëheqësit e gjashtë fraksioneve rebele.
Por grupi më i rëndësishëm i rebelëve të Darfurit, Lëvizja për Drejtësi dhe Barazi (JEM), nuk mori pjesë në bisedime.
Pas takimit, grupet rebele shfaqën shpresën se përpjekjet e Egjiptit do t'i hapnin rrugën bisedimeve të drejtpërdrejta me qeverinë sudaneze.
Kajro vazhdon ta mbështesë presideetin Al-Bashir dhe i ka kërkuar OKB-së që ta pezullojë procesin ndaj tij në Gjykatën Ndërkombëtare Penale.
Egjipti është i shqetësuar për stabilitetin e Sudanit fqinjë dhe ministri i jashtëm thotë se vendi i tij ka interes strategjik që të kërkojë sugurimin e paqes në Darfur.
Më parë, përpjekjet për ta arritur këtë kanë dështuar, duke përfshirë dhe një përpjekje të Katarit, në të cilin mori pjesë dhe grupi më i fuqishëm rebel, JEM.
n.e/NOA
Â