Korçë, 22 korrik, NOA - Policia e Korçës ka bërë të mundur kapjen e 20-vjeçarit Elis Guri, lindur dhe banues në fshatin Bletas të Pogradecit, i dënuar edhe më parë për "Vjedhje", pasi ai ishte shpallur në kërkim nga policia po për vjedhje.
Sipas të dhënave policore për agjencinë e Lajmeve NOA, ky person ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Pogradecit, ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë "arrest me burg" për veprën penale të "Vjedhjes" parashikuar nga neni 134/1 i Kodit Penal, sepse ai rezulton të jetë autori i vjedhjes së lokalit "Mokra" në lagjen nr.1 në Pogradec në datën 3 korrik.
Ndërkaq, bëhet e ditur se forcat policore të këtij qyteti kanë mundur të kryejnë edhe  ndalimin e personit të shpallur në kërkim Kristo Prifti, për të cilin është bërë konvertimi i gjobës prej 200.000 lekë në 40 ditë burgim, të dhënë me vendimin nr. 189 dt 23.05.2008 të Gjykatës së Korçës për veprën penale të "Kanosjes" parashikuar nga neni 84 i Kodit Penal.