English

Shqipëria e vizave

Sapo hyn në territorin e Shqipërisë, në mes të rrugës së sapopërfunduar je i shoqëruar me një tufë lopësh të cilat nuk qajnë kokën se po hiqeshin zvarrë nëpër rrugë katërkorsish. Aty mungonte bariu, sepse po të shihej atypari do të përngjante hiq më pak se në ato lopë që kishin marrë rrugën e magjistrales

Nga Baton Haxhiu

Shqipëria është vend i paradokseve. Shpeshherë është një çmendinë që s'ta kapë truri. Ndonjëherë është oazë e shpresës dhe vendit që ofron mundësi. Kurse ndonjëherë është vend që tejkalon secilin vend fqinj me dijen dhe shpjegimet që jepen për shoqërinë. Të gjitha këto mund t'i gjesh brenda ditës në shtetin shqiptar.

Unë i kam shijuar të gjitha - edhe kënaqësitë, edhe hidhërimet. Hiq qëndrimin tim të përkohshëm, sa vullnetar aq edhe të detyruar, por edhe të përjetuar me kënaqësitë që të ofrojnë miqësitë, nuk do të kisha jetuar gjatë atje pa u ngritur për ta shprehur hidhërimin për papërgjegjësinë dhe edukatën e munguar në shumë pjesë të jetës në Shqipëri.

Shpeshherë kjo papërgjegjësi është pasojë e mungesës së edukatës për shtetin dhe për jetën shoqërore. Këto sjellje janë pasojë e papjekurisë shpirtërore të popullit shqiptar, por në radhë të parë të zvetënimit moral të shtetit dhe të qytetarit shqiptar, duke i munguar ideja për respektimin e ligjit dhe shtetit ku jeton. Prishja e rendit jetësor krijon probleme që në rrethana të tanishme është e pamundur të zgjidhen pa ndërhyrje të ashpër të shtetit. Si përshkruhet një shtet nga një i huaj kur kalon nëpër kufirin Kosovë-Shqipëri? Pjesa Kukës-Durrës kalohej lehtë, për dy orë. Një rrugë e bukur, që nuk ngjante se mund të ishte në një vend çfarë është Shqipëria. Dallohej qartë ku kishin ndërtuar shqiptarët dhe maqedonasit, si dhe pjesa pas tunelit, që është ndërtuar nga amerikanët dhe turqit. Në pjesën e parë të rrugës mungonin të gjitha: puna, bukuria e rrugës, mënyra se si ishin radhitur gjërat. Pas tunelit gjithçka ishte Europë. Bukur, rrethojat, gjelbërimi, gurëzit anash ,dhe ajo që ishte më e bukura - mungesa e frikës se mund të të dalë dikush në mes të rrugës. Sapo hyn në territorin e Shqipërisë, në mes të rrugës së sapopërfunduar je i shoqëruar me një tufë lopësh të cilat nuk qajnë kokën se po hiqeshin zvarrë nëpër rrugë katërkorsish. Aty mungonte bariu, sepse po të shihej atypari do të përngjante hiq më pak se në ato lopë që kishin marrë rrugën e magjistrales. Dy orë të kaluara për mrekulli dhe shpejt, të bëra pa ndonjë trazim shpirti, të humbin para sysh kur përballë të del një rend i gjatë dhe i padurueshëm në rrugën e Durrësit. Shumë nga ata që kalonin rend e pa rend në rrugën që sapo asfaltohej, ishin të paedukatë dhe të veshur pa shije. Në pikë të ditës, në mes të sezonit turistik, po shtrohej shtresa e asfaltit, kurse në një rrugë me një korsi ishin pesë rreshta veturash që krijuan kaosin e pashembullt të një rruge shqiptare. Në rrugën që shpinte nga Durrësi deri në Golem, mund të shihej rendi, tradita, ligji, policia e pamundur, shteti jofunksional, dallgët e pasioneve të qytetarëve të lëshuar nga zinxhiri, që vetëm disa ditë më herët kishin lënë Shqipërinë pa liberalizim të vizave. Dhe në atë rrugë nuk kishte as ligj, as polici që mund ta bënte zap një çmendi të quajtur papërgjegjësi qytetare. Ky lëmsh kishte shumë fajtorë. Kishte njerëz që edukatën ndaj asfaltit dhe rregullave të rrugës e kishin të huaj. Kishte policë që rrinin kot me filikaqin e tyre - fishkëllenin çmendurisht, pa asnjë shenjë dhe pa asnjë qëllim. Kishte vetura të bukura që tejkalonin gjithçka duke bllokuar gjithashtu gjithçka. Unë shijova plotësisht hidhërimin e një rrëmuje të pakuptimtë, e cila kapte kilometra të pakaluara të mijëra veturave që kishin bllokuar njëra-tjetrën. Nuk bënte punë as policia. As shteti dhe as Shqipëria e lirë post-zgjedhore. Aty pash papjekurinë shpirtërore të një Shqipërie. Të një shteti që tregoi se pse nuk kishte marrë të drejtën e liberalizimit të vizave. Të kesh vizë për Evropë, do të thotë të kesh sjellje të qytetëruar; të kesh vizë duhet të kesh polici dinjitoze; të kesh vizë duhet të respektosh rregulla; të kesh vizë duhet ta duash shtetin tënd; të kesh vizë duhet të jetosh i lirë për veten dhe të mos jesh i lëshuar nga dallgët e pasioneve që nuk respektojnë as ligj, as traditë, as polici. Të gjitha këto po lënë gjurmë të thella për Shqipërinë dhe qytetarin e saj. Çdokush që ka parë një rrëmujë të tillë, të krijuar nga vetë qytetarët dhe me ndihmën e policisë së paaftë dhe të pafuqishme, do të ketë një konstatim. A mund të kenë liberalizim të vizave ata të cilët në mënyrë të pathemeltë ia rëndojnë vetes jetën dhe shtetit të tyre? Kështu as nuk rritesh dhe as nuk zhvillohesh shëndetshëm.

"Express", Prishtinë

KOMENTE