Uashington, 23 korrik, NOA - Kryenegociatori i Kombeve të Bashkuara për çështjet e ndryshimit të klimës, Yvo de Boer, thotë se vendeve të pasura do t'u duhet të mobilizojnë të paktën 10 miliard dollarë për t'u ardhur në ndihmë vendeve në zhvillim në hartimin e planeve kombëtare për kufizimin e emëtimit të gazit karbonik dhe përshtatjen me ndryshimet e klimës.
Boer tha se kjo shifër përfaqëson minimumin e nevojshëm. Ai tha se Samiti për Klimën, që pritet të zhvillohet në dhjetor në Kopenhagë, duhet të bjerë dakord për një formulë të shpërndarjes së kostos për përballimin e ndikimit të ndryshimeve të klimës.
"Nëse në fund të takimit të Kopenhagës do të kem në dorë një dokument të nënshkruar nga udhëheqësit botërorë ku të thuhet se vendet e pasura do të ulin apo do të caktojnë objektiva për të ulur ndjeshëm deri në 2020-n emetimin e gazrave që shkaktojnë efektin serrë, atëherë mund të them se kemi hedhur hapin e parë", tha zoti de Boer.
Kryenegociatori i OKB-së për klimën tha se vendet e pasura kërkohet të të ofrojnë burime të arsyeshme financiare për përballimin e ndikimit të ndryshimeve të klimës në vendet në zhvillim.
Ndërkaq, grupi i Tetë vendeve më të industrializuara në samitin e tyre në Itali para pak javësh, ka rënë dakord për herë të parë se ngrohja globale nuk duhet të kalojë dy gradë celcius.
Ky është niveli që shihet nga shumë ekspertë si minimumi për të penguar ndryshime klimaterike të pakthyeshme.
Për të arritur këtë, udhëheqësit e G8-ës i kanë vënë vetes një objektiv ambicioz për pakësimin e gazrave të efektit serrë në masën 80 përqind deri në vitin 2050.
n.e/NOA
Â
Â
Â