English

Krimi në familje, vëllai vret të vëllanë me thikë për motive të dobëta

Sarandë, 23 korrik, NOA - Një akt i rëndë i është shtuar ditën e sotme listës së krimeve në familje. Vëllai ka vrarë me thikë vëllanë e tij gjatë një zënke e sipër në familje, duke tronditur këtë mëngjes qytetin jugor të Sarandës.

Sipas të dhënave paraprake për agjencinë e Lajmeve NOA, ngjarja ka ndodhur në Qafë Gjashtë, në hyrje të qytetit të Sarandës dhe tashmë policia ka arrestuar vëllanë e vogël të viktimës dhe shokun e tij.

Të dhënat e para hetimore bëjnë me dijeni se vëllai, autor i vrasjes, Ermir Myrto, 25 vjeç, i ka shkuar në mesnatë në shtëpi vëllait të tij 35-vjeçar Laze Myrto, i shoqëruar nga një shok me emrin Jorgo Beruka.

Në zënkë e sipër, ata e kanë qëlluar me thikë 35-vjeçarin i cili ka ndërruar jetë në spital.

Sipas raportimeve të para, mësohet se 25-vjeçari ka patur probleme me konsumimin e lëndëve narkotike, por ende nga policia po punohet për të mësuar shkaqet e vrasjes.

n.e/NOA

KOMENTE