Tiranë, 23 korrik NOA-Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se qeveria është e përgatitur me të gjitha kapacitetet e nevojshme për të përballuar me sukses të plotë një përhapje të mundshme të gripit të derrave në Shqipëri.
Kreu i Qeverisë siguroi se sapo vaksina të dalë në treg dhe dozat e saj të komercializohen, ajo do të blihet.
 "Ne do të blejmë të gjithë sasinë e nevojshme për të vaksinuar grupet dhe popullatën për të cilat rekomandohet vaksina", u shpreh Berisha.
Kryeministri Berisha tha se qeveria është përgatitur me të gjitha kapacitetet e nevojshme për ta përballuar pandeminë me sukses të plotë, qoftë me shtretër, qoftë me specialistë një përhapje të mundshme të gripit të derrave.
"Ne po përfundojmë laboratorin për të identifikuar virusin e gripit të derrit. Po ashtu, kemi dhe dozat e nevojshme për ta luftuar atë. Jemi plotësisht të përgatitur dhe nuk ka asnjë arësye serioze e të veçantë për ta dramatizuar situatën. Është një formë shumë larg agresivitetit të formave të viruseve të viteve të shkuara", tha Kryeministri.
Virusi i derrit, që fillimisht u shfaq në Meksikë, regjistroi pak ditë më parë rastin e parë zyrtar në Shqipëri, ku mbartës rezultoi një student nga Gjirokastra. Autoritetet shëndetsore në vend kanë rritur vigjilencën në institucionet spitalore dhe në pikat e kalimit kufitar për të parandaluar rastet e mundshme.
m.i/NOA
Â
Â