English

Presidenti Topi pret përfaqësuesen Uestin në largim: Faleminderit FMN!

Tiranë, 23 korrik, NOA - Presidenti Topi priti sot në një takim përfaqësuesen e Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, An-Margret Uestin, e cila largohet nga vendi ynë me përfundimin e misionit të FMN-së në vendin tonë.

Në këtë takim, kryetari i shtetit vlerësoi kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme që Fondi Ndërkombëtar Monetar ka dhënë për Shqipërinë gjatë gjithë periudhës së tranzicionit për një zhvillim të qëndrueshëm financiar dhe ekonomik, nëpërmjet monitorimit, ekspertizës, asistencës teknike, dhënies së këshillave mbi politikat e ndjekura dhe reformat e ndërmarra nga shteti shqiptar.

Ai i shprehu An-Margret Uestin konsideratën e tij të lartë për angazhimin dhe punën me përkushtim e profesionalizëm në përmbushjen e detyrës së saj në krye të misionit të FMN-së në vendin tonë dhe i uroi suksese në përgjegjësitë e reja, që e presin.

Nga ana e saj, Përfaqësuesja e Fondit Monetar Ndërkombëtar shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e dhënë nga shteti shqiptar dhe për bashkëpunimin e frytshëm mes FMN-së dhe autoriteteve shqiptare në përmbushjen e qëllimeve dhe objektivave të tyre të përbashkëta. Uestin vuri në dukje gjithashtu përshtypjet e saj më të mira për Shqipërinë dhe shqiptarët si një komb vital, me vlera dhe me tradita të rralla, vlerësoi mikpritjen e jashtëzakonshme si dhe theksoi potencialet e mëdha të vendit tonë për t'u rritur e zhvilluar ekonomikisht duke patur parasysh burimet e mëdha natyrore dhe njerëzore.

n.e/NOA

KOMENTE