English

Rama: Berisha grabiti mandatin tonë në Berat, PS do t'i kundërvihet këtij pushteti

Tiranë, 23 korrik NOA - Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama ka dolë sot në mesditë në një konferencë për shtyp ku reagoi për vendimin e Kolegjit Zgjedhor për kutitë e Beratit, që sipas tij ishte një vendin skandaloz.

"Dje Kolegji Zgjedhor nuk i rezistoi dot presionit të pushtetit të Sali Berishës dhe dha një vendim skandaloz, në kundërshtim të plotë me Kodin zgjedhor, që në çështjen e rinumërimit të votave, është i qartë si drita e diellit. Mjafton që 2 anëtarë të KQZ-së ta kërkojnë rinumërimin dhe kjo bëhet pa asnjë lloj kushti" deklaroi Rama.

Sipas tij, drejtësia e vendosur nën presionin e pushtetit, nuk dha drejtësi.

"Drejtësia thelloi padrejtësinë ekstreme të KQZ-së ndaj Partisë Socialiste, duke e degjeneruar edhe më tej procesin zgjedhor nga njëra anë dhe nga ana tjetër duke e bërë edhe më të rëndë barrën e përgjegjësisë së opozitës, e cila mbetet përditë e më shumë e vetmja forcë dhe e vetmja shpresë e njerëzve për të rezistuar në emër të lirisë dhe të demokracisë, pa u bërë pjesë e kësaj farse përditë e më të neveritshme, ku pushteti po mbyll, dita-ditës, çdo kanal të pavarur të funksionimit të demokracisë përmes presionit në rritje ndaj drejtësisë, medias, sipërmarrjes, dhe qytetarit" tha Rama.

"Dje, pushteti mbylli përmes një padrejtësie alarmante rrugën e transparencës ligjore mbi procesin zgjedhor në Berat. Por, hapi rrugën e mos njohjes nga ana jonë të legjitimitetit të qeverisë, që do të dalë nga kjo maskaradë elektorale, e cila e bën të detyrueshme rrugën tonë të kontestimit demokratik me të gjitha mjetet që ka në dorë opozita, të këtij pushteti të korruptuarish e korruptuesish, që duan ta kthejnë Shqipërinë në një republikë pa opozitë demokratike, pa drejtësi të pavarur, pa media të lirë, pa sipërmarrje të panënshtruar, pa qytetarë të pakërcënuar për shkak të bindjeve të tyre politike.

Dje, Sali Berisha grabiti përkohësisht një mandat të Partisë Socialiste në Berat, por përcaktoi verbërisht edhe koston shumë të lartë politike që duhet të paguaj ai vet dhe qeveria shtatanike, që do të dal nga këto zgjedhje, të cilat ndryshojnë prej atyre të vitit 1996 vetëm në formë, por jo në thelb" shtoi më tej kreu i socialistëve.

Rama shtoi sigurinë se Partia Socialiste do t'i kundërvihet këtij pushteti sipas tij të korruptuar dhe korruptues, pa asnjë rezervë, pa asnjë kompromis, pa asnjë pauzë.

"Sot, është e sigurt se Partia Socialiste do të angazhohet deri në fund për zbardhjen medoemos të krimit elektoral të 28 qershorit, duke i përfaqësuar denjësisht të gjithë shqiptarët e shqiptaret që e votuan në shumicë, për një politikë të re për ndryshim dhe që duan me të drejtën e Zotit, të ligjit, e të qytetarisë evropiane, mbrojtjen e të drejtës së tyre të mohuar nga politika e vjetër për mashtrim.

Sot, është e sigurt se Partia Socialiste do të dalë nga kjo betejë me vetëdijen e plotë se misioni i saj është të mbroj lirinë dhe të shpëtoj demokracinë e sakatuar nga një pushtet i kthyer në një regjim, që kërkon t'i nënshtroj të gjithë e të kontrolloj gjithçka, duke i kthyer edhe zgjedhjet në një farsë me një fund të përcaktuar në favor të pushtetit, pavarësisht se si voton qytetari" përfundoi Rama.

k.k/NOA

Â

KOMENTE