English

Berisha në Kukës: Rruga e kombit për Ramën ishte rruga e asgjëkundit

Kukës, 24 korrik NOA - "Kjo është rruga e asgjkundit, kështu deklaroi humbësi i shqiptarëve" këtë deklaratë kryeministri Sali Berisha e ka dhënë gjatë vizitës së tij sot në Kukës, duke ju referuar rrugës Durrës-Kukës, dhe deklaratave të kreut të PS-së për të.

‘Sot, unë erdha në Kukës nëpërmjet korridorit të kombit. Duke ardhur mu rikujtua teza famëzezë e humbësit Edi Rama. Pasi volli vrer, tonelata shpifjesh dhe trillimesh , pasi përdori bashkë me të tjerë në mënyrën më monstruoze institucionin e akuzës, duke e shndërruar atë në një turp ordiner, nxori tezën famëkeqe, se kjo është rruga e asgjëkundit. Dua ti them sot se Kosova është gjysma e kombit, kurse ti je faqja e zezë dhe turpi i tij. Dua ti them sot se qytetarët e Kukësit janë qytetarë të nderuar të këtij vendi" deklaroi Berisha.

"Të deklarosh se kjo është rruga e asgjëkundit do të thotë se ti je hiç i hiçeve, sepse sot në këtë rrugë qarkullojnë dhjetëra e mijëra shqiptarë, qarkullojnë mbi 12 mijë.

Unë ju garantoj ju se nuk do të jetë e largët dita, që në këtë korridor të qarkullojnë 20 apo 24 mijë automjete në ditë. Ky do të jetë korridori i shqiptarëve, korridori i Ballkanit, i cili do tu ofrojë distancën më të shkurtër dhe shërbimin më të mirë edhe kombeve fqinj. Por le të mos merremi me të, se shqiptarët e nxorën atë në banesën e harresës dhe humbjes, kurse ne së bashku le të vazhdojmë projektin e Shqipërisë evropiane, të Kukësit evropian" shtoi më tej Berisha.

Në vijim të vizitës së tij në qytetin e Kukësit, Kryeministri Berisha mori pjesë në inaugurimin e rrugës Kukës-Krumë me gjatësi 27 kilometra dhe vlerë 277 milion lekë. Kryeministri tha se rruga Kukës-Krumë, plotëson një nga segmentet më jetikë të unazës verilindore dhe juglindore të vendit, që nis nga Tropoja dhe përfundon në Delvinë, duke i dhënë një frymëmarrje më të gjerë të gjitha komunave të përfshira në këtë zonë.

k.k/NOA

Â

KOMENTE