English

Berisha planifikon tetorin për të vizituar Prishtinën, do firmosë marrëveshjen e lëvizjes së lirë

Prishtinë, 24 korrik NOA-Kryeministri Sali Berisha do të vizitojë Kosovën në muajin tetor. Lajmi është konfirmuar nga ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka.

Udhëtimi që ishte paralajmëruar se do të zhvillohej në muajin maj në Prishtinë dështoi për shkak të fushatës zgjedhore në Shqipëri dhe sipas ambasadorit Lauka, Kosova do të presë kreun e qeverisë shqiptare në tetor.

"Ka qenë e parashikuar një vizitë gjatë pranverës së këtij viti. Qe folur edhe për afate konkrete, nga mesi i majit. Por fushata zgjedhore në Shqipëri pengoi realizimin e saj. Vizita besoj se do të bëhet shpejt, nuk mund të flas për afat, sepse akoma nuk ka dalë qeveria, por shpresoj shumë që në muajt e parë të vjeshtës do të realizohet", tha Lauka. Një arsye pse kreu i qeverisë shqiptare do të udhëtojë drejt Kosovës në muajin tetor nëpërmjet rrugës së re që lidh Tiranën me Prishtinën është edhe përurimi i pjesës tjetër të tunelit Thirrë-Kalimash. Burime pranë Kryeministrit Berisha konfirmuan lajmin e vizitës së tij në Kosovë në muajin tetor, por nuk kanë dhënë detaje të mëtejshme lidhur me përurimin e pjesës tjetër të tunelit, pasi nuk është përcaktuar koha se kur do të përfundojë pjesa tjetër e tunelit.

Ambasadori Islam Lauka tha se në vizitën e radhës në Kosovë, Kryeministri Berisha dhe homologu i tij kosovar Hashim Thaçi do të firmosin marrëveshjen për lëvizjen e lirë, marrëveshjen për qarkullim në zonat kufitare, marrëveshjen e ripranimit dhe një numër dokumentesh dypalëshe të cilat, siç u shpreh ai, teknikisht janë të mbyllura dhe presin firmën e shefave të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë.

KOMENTE