Tiranë, 24 Korrik NOA - "Partia Socialiste nuk i ka humbur zgjedhjet, por as nuk i ka fituar ato, prandaj kryetari Edi Rama duhet të vazhdojë drejtimin e partisë".
Këtë pohim e bëri sot në një intervistë dhënë BBC-së radio seksioni shqip, një nga eksponentët e PS-së, Sekretari për Mjedisin Besnik Bare.
Kandidat për deputet, Bare thotë se PS-ja ka një demokraci më të zhvilluar se PD-ja, duke iu referuar zërave të shumët që kërkojnë ikjen e Ramës.
Ndërsa Kolegji Zgjedhor shqyrton ankimimin e partisë suaj, cili është vlerësimi juaj për ecurinë e procesit nga 28 qershori deri më sot?
Ashtu siç ka ndodhur dhe në qarqet e tjera, edhe në Tiranë, kemi një deformim të jashtëzakonshëm të rezultatit të zgjedhjeve, sidomos në zonat rurale. Në zonat urbane për shkak të pranisë së vëzhguesve, por dhe të infrastrukturës, është më vështirë të kryhen manipulime. Mendimi im është se në tërësi zgjedhjet në Shqipëri nuk i kanë arritur standardet. Për mendimin tim, problematika në zgjedhje do të vazhdojë përderisa në krye të qeverisë të jetë Sali Berisha i cli ende nuk ka kërkuar falje për manipulimin e zgjedhjeve të 96-ës.
Në partinë tuaj kanë nisur të dëgjohen zëra që kërkojnë pranimin e rezultatit dhe bërjen e analizës duke nxjerrë përgjegjësitë. Madje, disa drejtues socialistë kanë kërkuar zbatimin e statutit të partisë i cili në rast humbje detyron kryetarin e partisë të largohet. Cili është mendimi juaj?
Kjo tregon qartë se PS-ja ka një demokraci më të zhvilluar se PD-ja, kjo dhe për shkak të këtyre zërave. Procesi zgjedhor dhe për shkak të presionit që ushtrohet në të gjitha hallkat ende nuk është konkluduar. Sipas gjasave, megjithë manipulimet e bëra nga PD-ja, në Shqipëri, në këto zgjedhje nuk ka fitues. PS-ja nuk i ka fituar zgjedhjet, sigurisht që edhe PD-ja nuk i ka fituar ato. Në Shqipëri nuk janë zhvilluar zgjedhje me standarde, dhe vetëm një qeveri e barazlarguar nga partitë politike do të mundësonte zgjedhje reale e demokratike. Dhe, sa kohë nuk kemi vendosur në murin e demokracisë këtë gur themeltar, ne nuk do mund të integrohemi realisht në Bashkimin Europian.
Pra, ju jeni për vazhdimin e drejtimit të partisë nga kryetari aktual Edi Rama?
Ky është një vendim që i takon atij ta marrë dhe forumeve të partisë, por përderisa nuk ka humbës Rama ka të drejtë të plotë për të mos e konsideruar veten dhe njëkohësisht dhe për të patur një vazhdimsi në drejtimin e PS-së, sigurisht duke pranuar edhe sfidën e çdo kujt që konkuron për të kapur këtë lloj pozicioni.
Këto lëvizje janë jo vetëm në qendër, por dhe në bazë. PS-ja e Tiranës që ju drejtoni është me e madhja në vend. Cili është qëndrimi i socialistëve të kryeqytetit për situatën e krijuar në parti?
Mesazhi dominues dhe në mënyrë masive është se PS-ja duhet të dijë të përballojë këtë situatë dhe ata janë koshientë se PS-ja nuk ka humbur. Për këtë ata kërkojnë që gjithçka të zgjidhet me maturi. Mesazhet që vijnë nga individë jashtë interesave politike janë për një kompaktësi dhe ata janë mbështetës të Edi Ramës.
Aleatët tuaj të "vegjël" janë ankuar se jo vetëm nuk ua ruajtët votat, por ua grabitët ato!
Besnik Bare: Absolutisht, kjo nuk është e vërtetë. Unë personalisht kam qëndruar tre ditë e netë në një KZAZ dhe partitë e vogla, si të krahut të majtë, ashtu dhe të krahut të djathtë kanë patur një minimum votash.
Duket se tashmë vendi do të ketë një qeveri koalicioni për herë të parë mes së majtës dhe të djathtës. A ka evoluar mendimi në PS për LSI-në e Ilir Metës apo mbetet konstatimi i fillimit?
Unë për një kohë të gjatë brenda PS-së jam konsideruar si një person që ka patur tendencë për të përkrahur LSI-në. Unë kam një mendim objektiv lidhur me LSI-në. Unë personalisht jam që ndoshta kohë më parë duhet të ishte investuar në drejtim të një klime bashkëpunuese me LSI-në. Këtë ne nuk e kemi vënë re pas zgjedhjeve të 2007 nga aktorët kryesore të LSI-së dhe kjo u pasqyrua qartë dhe në humbjen e shumë qarqeve. Vendimi i fundit i LSI-së, për mendimin tim, është jashtëzakonisht i gabuar. Nëse Ilir Meta nuk do i shtrinte dorën Sali Berishës, për herë të parë shqiptarëve do u krijohej mundësia që një qeveri e barazlarguar nga partitë politike të mbante zgjedhjet e padeformuara dhe të pamanipuluara. Ky veprim i LSI-së ka zhgënjyer jashtëzakonisht elektoratin e majtë dhe të gjithë ata votues që kanë votuar Ilir Metën. Mesazhi i Ilir Metës në gjithë procesin zgjedhor ishte "jo kompormis me Sali Berishën", bile në jemi akuzuar si PS, për kompromise me Sali Berishën. Ky veprim i LSI-së është një veprim dritëshkurtër.