English

Ka ardhur koha e historisë

Kur flasim për Evropën, nuk janë institucionet specifike në Bruksel ato për të cilat mendojmë. Është tërësia - përmes kombeve edhe më tej diverse evropiane, e sistemit legal, politik dhe ekonomik, forma e shoqërisë, karakteri, përkushtimi, që e vendosin në fillim, në fund dhe në mes - dinjitetin njerëzor dhe lirinë. Kjo është Evropa për të cilën që të tre besuan dhe luftuan

Nga Timothy Garton Ash

Brenda një viti përjetuam vdekjen e tre mendimtarëve të jashtëzakonshëm evropianë, të cilët u përfshinë thellësisht në jetën publike të kohës së tyre. Publikimet e tyre në histori, filozofi, sociologji dhe politikë do t'i mbushnin disa rafte librash. Në momentet vendimtare - në 1956, 1968 dhe 1989, angazhimi i tyre politik ndihmoi në bërjen e historisë evropiane. Secili prej tyre ka pasur mendje të cilën ka qenë kënaqësi e madhe për ta parë në vepër, por gjithashtu personalitet të pasur, kompleks dhe pozitiv ndaj jetës. Ndonëse ndjej një humbje të dhimbshme, gjej një domethënie më të madhe në vdekjen e tyre. Me ta, vdes edhe grupi i fundit i evropianëve që të cilët ishin formësuar nga tmerret e Luftës së Dytë Botërore dhe pasojat e saj në Evropën Qendrore. Ata kuptuan, gjer në eshtrat e tyre, përse neve na duhet një Evropë e lirisë së rregulluar me ligj, ndonëse si tinejxherë dhe të rinj ishin dëshmitarë të një gjendjeje krejt të kundërt. Tash, ne, fëmijët e kohërave më me fat, duhet të mbështesim atë Evropë pa atë lloj të shtysës bazike që vjen nga përvoja personale. Ata nuk folën shumë dhe me qejf rreth ballafaqimeve me djallin në fëmijëritë e tyre. Përkundrazi. E bënë këtë rrallë dhe me ngurrim. Prandaj, janë disa gjëra, me sa duket, që i përfshijnë tmerret më të mëdha të cilat ne kurrë nuk do t'i dimë - dhe nuk kemi të drejtë t'i dimë. Sidoqoftë, në vitet e fundit të jetëve, në fragmentet autobiografike dhe dromcat nga bisedat e tyre, ata na lanë trashëgimi një përmbledhje të gehenna's [ferrit] nga i cili ka lindur Evropa e sotme. Ai që ka jetuar gjatë kohës së më të këqijave e ka lënë dëshminë më të vogël. Bronislaw Geremek - historian i Mesjetës, i kthyer në këshilltar të Solidaritetit dhe Ministër të Jashtëm të Polonisë, i cili vdiq verën e kaluar në një aksident automobilistik - ka treguar për të qenit dëshmitar i jetës dhe i vdekjes si fëmijë në geton e Varshavës, vetëm në fragmente të shkurta dhe në biseda të rralla me miq të afërt. "E kam mbyllur atë kuti dhe e kam gjuajtur çelësin", kishte thënë njëherë, kur ishte pyetur nga një intervistues miqësor.

Në një bisedë të gjatë autobiografike, të botuar në polonisht disa vjet më parë, Leszek Kolakowski - filozofi, historiani i ideve, analisti, kritiku dhe bashkëçmontuesi i komunizmit, i cili vdiq në Oksford javën e kaluar, ka kujtuar përvojën e tij të luftës në Poloninë e okupuar. Si ishte dërguar të punojë në prodhimin e lodrave të drurit si 15 vjeçar. Si, pasi okupatorët gjermanë i kishin mbyllur shkollat, e kishte shkolluar veten duke lexuar në një bibliotekë gjysmë të plaçkitur. (Ai tallej se prej leximit të enciklopedisë dinte gjithçka për "A", "D" dhe "E", por asgjë që fillonte me "B" dhe "C", sepse fermerët lokalë i kishin shfrytëzuar këto vëllime për ta ndezur zjarrin). Si me sytë e tij e kishte parë rrotullamen që vazhdonte të sillej në sheshin Krasinski në Varshavë, ndërkohë që getoja po digjej aty pranë dhe "në ajër po fluturonin copëzat e veshmbathjeve të djegura". (Skenë kjo e përjetësuar nga Czeslaw Milosz në poemën e tij Campo di Fiori). Si çdoherë kur shihte ndonjë aeroplan i cili po fluturonte ulët, i ngjallej ndjenja instiktive, madje edhe në moshë të shtyrë kur jetonte në Angli, se në çdo moment aeroplani do të fillonte të hidhte bomba. Si babai i tij ishte arrestuar dhe vrarë nga pushtuesit gjermanë në Varshavë, në 1943. Është mjaft e çuditshme se, më fjalëpaku dhe i nënvlerësuari Ralf Dahrendorf nga Gjermania veriore - mendimtari social, politikani dhe mësimdhënësi gjermano-britanik, i cili vdiq muajin e kaluar - është ai që ka lënë testamentin më gjithëpërfshirës të viteve të ferrit në Evropë. Babai i tij, një politikan socialdemokrat, ishte arrestuar për përfshirje në një komplot bombash kundër Hitlerit, me 20 korrik 1944, dhe mezi kishte ikur me bashkëshorten. Si 15 vjeçar, Dahrendorf edhe vet u përfshi në rezistencën antinaziste të gjimnazistëve dhe u mor nga Gestapo. (Konspirativët e dhënë pas librave shkruanin mesazhe për njëri tjetrin në latinisht, duke besuar se banditët e policisë sekrete nuk do të mund t'i lexonin ato, por Gestapo gjeti një zgjidhje të thjeshtë: ata arrestuan mësuesin e latinishtes). Më vonë, ai rikujtoi se si 10 ditët e izolimit të vetmuar ia zgjuan "mallin, pothuajse klaustrofobik, për liri, rezistencën ndaj të qenit i mbyllur, qoftë nga pushteti personal i individëve, ose nga pushteti anonim i organizatave", i cili do të ishte themeli i pasionit të tij jetësor për lirinë. Në memoaret e tij në gjermanisht, që së shpejti do të botohen në anglisht, ai jep një rrëfim të paharruar për burgun në kampin e Gestapos të parë me sytë e një 15 vjeçari. Të burgosurit ishin rreshtuar për ta parë një të burgosur i cili do të vritej për shkak se kishte vjedhur 250 gramë margarinë. Dahrendorf shkruan se njeriu ishte varur "në mënyrë të tmerrshme, pa shiritat që e bllokojnë gjakun në venat e qafës, prandaj është dashur që ta shohin një vdekje të gjatë dhe të dhimbshme". Secili prej këtyre tre djemve jashtëzakonisht të talentuar shumë lehtë do të mund të ishte vrarë, hedhur në turrën e druve të vetëshkatërrimit çmendurak të Evropës, si shumë shokë dhe kushërinj të tyre. Të tre patën jetë të gjata, të plota, dhe krijuan vepra me vlera të tejkohshme. Secili prej tyre kontribuoi me brilancë, qartësi, kurajë dhe humor në Evropën e lirë ku jetojmë sot. Kjo nuk do të thotë se tre profesorët menduan në mënyrë të njëjtë për Bashkimin Evropian. Përkundrazi. Geremek ishte entuziast i vërtetë i projektit të integrimit evropian. Kurrë nuk to harroj kur Broneku (siç e quanin miqtë) m'u drejtua në korridorin e Parlamentit të Polonisë: "Për mua, Evropa është një lloj i esencës platonike". Ai besonte edhe në ideal, edhe në realitet. Fundi i jetës e gjeti anëtar të Parlamentit Evropian. Darhendorf ishte një "proevropian" tipik, siç quhen në Britani. Ai kishte qenë Komisionar Evropian, por në vitet e fundit të jetës së tij u bë shumë kritik ndaj mënyrës se si po zhvillohej BE'ja. Evropa e tij ishte gjithmonë një Evropë e lirisë dhe ai e maste EU'në me këtë kriter. Kolakowski ka qenë sinqerisht skeptik ndaj atyre që i shihte si tendenca homogjenizuese të projektit të BE'së. Ndonëse i pranonte avantazhet e dukshme të Unionit, ai frikësohej për identitetin kombëtar dhe diversitetin kulturor. Gjatë shumë bisedave të mbrëmjes në Oxford, ai më ngacmonte me xhentilesë për entuziazmin tim pro-evropian. Dikush mund t'ia atribuojë këtë skepticizëm jetesës së tij 40 vjeçare në Ishujt Britanikë, edhe pse nuk mendoj se Britania ndonjëherë ka ndikuar në të në çfarëdo mënyre të rëndësishme. Por, ai besonte me pasion se Evropa Qendrore, e syrgjynosur përtej Perdes së Hekurt, duhet t'i ribashkohet familjes më të madhe të Evropës së lirë, dhe punonte për këtë qëllim, si nëpërmjet çmontimit intelektual të komunizmit, ashtu edhe përmes mendimit strategjik si të dilet prej tij. Prandaj, kur flasim për Evropën, nuk janë institucionet specifike në Bruksel ato për të cilat mendojmë. Është tërësia - përmes kombeve edhe më tej diverse evropiane, e sistemit legal, politik dhe ekonomik, forma e shoqërisë, karakteri, përkushtimi, që e vendosin në fillim, në fund dhe në mes - dinjitetin njerëzor dhe lirinë. Kjo është Evropa për të cilën që të tre besuan dhe luftuan. Konkluzioni im është i thjeshtë, edhe pse shumë larg nga të qenit i lehtë për t'u aplikuar në praktikë. Pasi më nuk mund të mbështetemi në kujtesën personale, e as edhe në fuqinë e takimeve personale me këtë gjeneratë të fundit të kohës së luftës, duhet që në shkollat tona të mësohet më shumë histori e mirë. Një histori për të gjithë. Histori me rrëfime individuale njerëzore, e cila çohet në shtëpi. Mësimdhënësi i mirë mund t'ia fillojë me rrëfimet e Bronekut, Leszekut dhe Ralfit.

KOMENTE