Ohajo, 24 korrik NOA-Shtatorja e Nënë Terezës do të vendoset në sheshin Rockefeller Park Greenhouse, afër me statujën e Martin Luther Kingut, në bulevardin në mes të rrugës St. Clair Avenue dhe I-90 në Cleveland.
Autoritetet e Qytetit të Cleveland të Ohajos kanë miratuar kërkesën e komunitetit shqiptar në këtë qytet për të vendosur, në parkun më të madh të quajtur -"Rockefeller Park - Cleveland Cultural Gardens", shtatoren e Nënë Terezes, ikonës shqiptare, nobelistes dhe bamirëses me famë botërore.
Dy anëtaret e këshillit bashkiak të qytetit Cleveland, Dona Brady, dhe Anila Coniku Nicklos, ishin iniciatoret e ngritjes së shtatores.
Dona Brady, është shprehur e lumtur që komuniteti shqiptar është paraqitur me një kërkesë të tillë.
"Shqiptarët do të jenë krenarë pasi do të kenë një simbol të tyre në parkun multi - kultural të qytetit tonë. Është edhe në nderin e qytetit, që edhe komuniteti shqiptarë të ketë, statujën e Nënë Terezes, ikonës shqiptare, dhe humanistes me famë botërore", theksoi Brady.
m.i/NOA