Para se neve të na mungojnë elementet teknike, BE-së i mungon vullneti politik që i përcaktohet nga interesi i stabilitetit rajonal. Pakënaqësia e përgjithshme me mospërfshirjen e Kosovës në listën e bardhë të Schengenit do të konsistojë ose në dhembjet e vetëdijesimit, ose në shtimin e inferioritetit
Nga Albin Kurti
Â
Çka ua merr mendja për Republikën e Sanxhakut? Me kryeqytet Novi Pazarin? Para se të më shikonin mua u shikuan me njëri-tjetrin. I ulën sytë përdhe duke u mbllaçitur me vështirësi. Nuk e besoj të jenë edhe më tutje në burgun e Pejës. Mbase i kanë liruar: për kontrabandë me sheqer s'i mbajnë dot më shumë se gjashtë muaj. Dhe, ka dy vjet kjo punë tashmë... 15 vjet, përkatësisht 10 vjet, pas përfundimit të luftërave, Serbia ka arritur t'i mbajë Bosnjën dhe Kosovën si vende që cilësohen problematike. Në Bosnje bën obstruksione me Republikën Serbe, kurse në Kosovë me veriun e ndarë dhe enklavat e kontrolluara nga strukturat paralele. Për pasojë, Bosnja dhe Kosova ngecin si në zhvillim ekonomik, po ashtu edhe në atë të integrimeve evropiane e veri-atlantike. Përjashtimi i Bosnjës dhe Kosovës nga liberalizimi i vizave është veçse konkretizimi më i freskët i kësaj dukurie. Beogradi vazhdon të jetë problemi kryesor i Bosnjës dhe Kosovës. Mirëpo, ai është i tillë vetëm nëse shikohet me sytë e Sarajevës dhe Prishtinës. Jo edhe kur shikohet me sytë e Brukselit. Ashtu sikurse që Milosheviqi u pat shndërruar në paqebërësin kryesor në Dayton (sepse kishte aq shumë fuqi për ta vazhduar luftën), ngjashëm sot Serbia konsiderohet kontribuesja më e rëndësishme e stabilitetit (për shkak të potencialit të saj destabilizues më të madh). Synimi i dikurshëm për paqen është zëvendësuar me synimin aktual për stabilitetin. Demokracia dhe zhvillimi, liria e drejtësia, thjesht nuk janë në agjendë. Pikëvështrimi i BE-së imponon që Bosnja dhe Kosova të mos jenë në radhë të parë dy vende (Bosnje dhe Kosovë) por disi vetëm një. Jo aq për shkak se që të dyja janë protektorate të BE-së, por meqë trajtohen si pjesë të Ballkanit Perëndimor, i cili nuk është koncept gjeografik por politik. Sepse, nuk ka Ballkan Lindor por vetëm Perëndimor. Ballkani Perëndimor është ajo që ka mbetur nga Ballkani, pjesa ende e paintegruar e tij. Edhe BE-ja, sikurse faktorët e tjerë ndërkombëtarë, e shohin Ballkanin Perëndimor nga prizmi i stabilitetit rajonal. Nuk na vlerësojnë ndryshe përveçse si krizë që mund të shpërthejë, e s'duhet të shpërthejë. Nuk na shohin kur jemi (tash), por në të ardhmen e afërt kur s'duhet të shpërthejë kriza. Dhe, te Serbia dhe serbët ata shohin më shumë kapacitet për destabilizim sesa te Bosnja dhe boshnjakët, por edhe sesa te Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët. P.sh. më shumë u duket që mund ta destabilizojnë situatën 6% serbë në Kosovë (me përkrahjen e Beogradit) sesa, ta zëmë, afër 30% shqiptarë në Maqedoni (që nuk e kanë mbështetjen e Tiranës e Prishtinës). Kur i kemi parasysh raportet e shumta ndërkombëtare të kësaj dekade për shqiptarët dhe serbët, për Kosovën, Shqipërinë dhe Serbinë, atëherë bëhet e qartë pse BE-ja i liberalizoi vizat për serbët dhe jo për shqiptarët. BE-ja beson që serbët janë më të qetë kur shkojnë në BE dhe janë shumë agresivë deri në konflikte të reja në vendin e tyre, ndërkaq për shqiptarët vlen e kundërta: janë të qetë në vendet e tyre në Kosovë e Shqipëri, porse jo edhe kur shkojnë në perëndim. Për liberalizimin e vizave edhe ashtu vendosin ministrat e punëve të brendshme të BE-së, për të cilët me shaka thuhet se i ndajnë njerëzit në dy kategori: të arrestuar dhe ende të paarrestuar. Sikur të suspendohej vetoja e Republikës Serbe në Bosnje dhe të bashkohej Mitrovica, atëherë Serbisë do t'i humbnin levat para Brukselit, i cili të gjithë neve na shikon si pjesë të të njëjtit rajon. Ndërkohë, Serbia po mbetet partner i privilegjuar i BE-së, pa marrë parasysh të kaluarën kriminale të saj dhe, madje, pikërisht për shkak të planeve kriminale që vazhdon t'i ketë për shqiptarët dhe boshnjakët. Në vitin 2006, në Banja Llukë Serbia ka nënshkruar marrëveshje për marrëdhënie speciale dhe paralele me Republikën Serbe. Këto dy republika nuk bëjnë asgjë në fushën e ekonomisë, kulturës dhe arsimit pa u koordinuar. Në anën tjetër, dirigjimi i Beogradit me jetën politike, ekonomike dhe shoqërore të serbëve në çerekun e territorit të Kosovës, e për hir të këtij territori, dihet botërisht. Kësisoj, Bosnja e Kosova vijojnë të mbesin të ndara përbrenda dhe të bllokuara nga elementet e Serbisë që i kanë brenda vetes. Bosnja e Kosova gjithsesi kanë dështuar në problematizimin e Serbisë dhe kanë përfunduar të problematizuara vetë nga ajo. Elitat politike në Sarajevë e në Prishtinë as që i përmendin Sanxhankun dhe Luginën e Preshevës, e lëre më t'iu ndihmojnë atyre. Ato vrapojnë të plotësojnë standarde evropiane, me ç'rast u përmirësohet pozita vetë politikanëve, por jo edhe qytetarëve të vendeve të tyre. Shpërputhja midis të drejtave dhe privilegjeve të serbëve në Bosnje e Kosovë me të drejtat e boshnjakëve dhe shqiptarëve në Serbi, është marramendëse. Mbase Beogradi, për dallim nga Sarajeva dhe sidomos nga Prishtina, e ka dukshëm më të qartë që BE-ja është projekt politik i interesit më parë se sa çështje vlerash të përbashkëta. Prandaj ai kërcënon me serbët e Bosnjës dhe Kosovës që përkthehet në brishtësi të Bosnjës dhe Kosovës, duke e kombinuar këtë kohë pas kohe edhe me flirtim me Rusinë. Nga BE-ja gjithsesi nuk përfitohet duke qenë i dëgjueshëm, duke qenë i urtë e i butë, e duke i shprehur dashuri të pakushtëzuar Brukselit. Sigurisht që do të na thonë se kemi probleme teknike, mirëpo ato janë të pakrahasueshme me problemet që kishin, ta zëmë, Rumania e Bullgaria kur para dy viteve e gjysmë u pranuan në BE para Kroacisë (përderisa BE-së po i ngutej ta definonte oborrin). Para se neve të na mungojnë elementet teknike, BE-së i mungon vullneti politik që i përcaktohet nga interesi i stabilitetit rajonal. Pakënaqësia e përgjithshme me mospërfshirjen e Kosovës në listën e bardhë të Schengenit do të konsistojë ose në dhembjet e vetëdijesimit, ose në shtimin e inferioritetit. Dikur, Tjetri i Evropës ishte jashtë kontinentit të Evropës. Ishte në Azi e Afrikë. Sot, Tjetri i BE-së është brenda Evropës. Është në Ballkanin Perëndimor. Ky Tjetri i sotshëm kërkohet të ndjehet inferior si rezultat i projektit që duhet të ketë - plotësimin e kushteve e normave për integrim në BE që i vijnë nga lart. Natyrisht, deri sa ta marrë vesh se si është krejt kjo punë tamam...Â
Â