English

PS, Braçe: Berisha boshatisi buxhetin e shtetit

Tiranë, 24 korrik NOA - Deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe, ka dalë sot në një konferencë për shtyp ku ka deklaruar se kryeministri ka boshatisur buxhetin për qëllime elektorale.

"Kryeministri i pakonfirmuar nga votuesit shqiptarë, Sali Berisha, gënjeu dje me insistim për të fshehur boshatisjen e madhe të buxhetit të shtetit në vetëm 6 muaj, duke vënë në dritë të diellit shenjat dalluese për një rrezik të madh!

Boshatisja e buxhetit është kontributi i tij personal në krye të një qeverie hajdutësh e zyrtarësh të korruptuar, që krizës ekonomike botërore - prej muajsh në Shqipëri, i bashkëngjiti si vlerë të shtuar babëzinë qeveritare mbi paratë e buxhetit" tha Braçe.

"Në 6 muaj, për qëllime elektorale, të blerjes së varfërisë, për shkak të saj, të blerjes së votës, të deformimit të vullnetit të zgjedhësve, të përfshirjes në buxhetin e fryrë të shpenzimeve partiake elektorale të parave të krimit ekonomik, kontrabandës së korrupsionit, me urdhër, i hoqi buxhetit të shtetit:

92.5 milion dollarë të ardhura nga TVSH dhe akciza, duke ia shtuar buxhetit të krimit, kontrabandës e korrupsionit, që financuan partinë e tij.

31.7 milion dollarë si shpenzime të tepërta për personelin, paga e sigurime shoqërore, për 15090 militantë politikë, që u mbajtën me paratë e taksave tona.

6.3 milion dollarë si shpenzime të tepërta për ndihmë ekonomike - kur kryeministri mburret që këtu vetëm varfëri nuk ka- me të cilat u mbajtën 25 000 militantë politikë, po përsëri me paratë e taksave tona.

50 milion dollarë, si shpenzime të tepërta për të financuar vetëm hapjen e qindra kantiereve, në një skemë mashtruese elektorale që duhet të krijonte idenë e punës kudo, kur punë nuk ka e kantieret janë bllokuar sapo votimi mbaroi.

Në total, Sali Berisha boshatisi buxhetin për qëllimet e tij elektorale, me 180.5 milion dollarë!" deklaroi më tej deputeti socialist Erion Braçe.

Sipas Braçes, Berisha ka bërë që deficiti në buxhet të arrijë në vetëm 6 muaj në 343 milion dollarë, ose 122 % të planit, ose 62 milion dollarë më shumë se planifikimi!

"Sali Berisha ka sot dy mundësi: të ndërpresë shpenzimet ose të vazhdojë të marrë borxh të shtrenjtë, këtë herë duke prekur depozitat e qytetarëve.

Pikërisht se është kështu, dy ditë më parë ndërpreu financimin e tenderëve deri në dhjetor, për 6 muaj të tjerë!

Arsyeja ligjore nuk ekziston! Vetëm boshatisja e buxhetit e detyron.

Sali Berisha tha dje se tenderët vjeshtuk nuk janë produktiv! Më lejoni t'u tregoj se Sali Berisha për të boshatisur buxhetin, për të hapur kantieret e tij elektorale, ka bërë tenderë në tetor, në nëntor, madje deri në 12 dhjetor të 2008!

Pikërisht për këto muaj, sipas faqes zyrtare të APP-së, Sali Berisha ka bërë 33 tenderë rrugës, me një vlerë të përgjithshme prej 153.1 milionë dollarë!" tha më tej Braçe.

"Në fund, meqë Sali Berisha po mbikëqyr personalisht pandeminë e gripit të derrit, marr guximin ta këshilloj: doktor, kujdes shëndetin! Plaçka bëhet! Siç po dëshmon ti" përfundoi Braçe.

k.k/NOA

KOMENTE