Tiranë, 24 korrik NOA - Deputeti socialist, Eduart Shalsi ka denoncuar sot vendimin, sipas tij, korruptiv të Berishës për të grabitur gjelbërimin rreth Tiranës.
"Disa ditë më parë KRRTRSH, e kryesuar nga Sali Berisha, ka miratuar një seri vendimesh që tregojnë qartazi, se në themel të tyre nuk qëndrojnë arsye që kanë të bëjnë me zhvillimin e qëndrueshëm të rrethinave të Tiranës, por qëllime të cilat mpleksin dukshëm vizionin e cungët të Sali Berishës me interesat private të oborrit të tij" tha Shalsi.
"Nga njëra anë, Sali Berisha zotohet për ullishtet dhe nga ana tjetër, me vepra me një të rënë të lapsit, zhduk plot 75 ha gjelbërim dhe ullishte në zonën e Farkës.
Në planin e përgjithshëm Rregullues të Tiranës, zona përreth liqenit të Farkës, parashikohet të jetë një zonë ekologjike e mbrojtur me ligj dhe me territore të rezervuara për hapësira publike dhe rekreative, ndërkohë që vendimi i Sali Berishës për ta shndërruar në një territor urban, sjell zhvillime me pasoja negative dhe mbi të gjitha shkatërrimin e një parku dhe të një kurore të gjelbër, që janë një pasuri brezash për qytetarët" u deklaroi më tej deputeti i PS, Shalsi.
Sipas tij, PS ka denoncuar me indinjatë masakrat urbane në rrëzë të malit të Dajtit, ato të kodrave të liqenit, si dhe ato të Kasharit.
Ndërsa sot po denoncon me po aq indinjatë vendimin e Sali Berishës për të kasharizuar edhe këtë pjesë të Farkës, e cila duhet të ishte një park dhe një model zhvillimi i koordinuar dhe integruar me qytetin e Tiranës.
k.k/NOA