English

Pyetjet tuaja për virusin e gripit A/H1N1, flet për NOA, specialistja e ISHP

Një numër pyetjesh lindin nga qytetarët, tani që në Shqipëri po shtohen gjithnjë e më shumë rastet e dyshuara me gripin e derrave, ose virusin e rrezikshëm AH1N1, ku disa prej tyre janë konfirmuar e të tjera pritet të merren përgjigjet në ditët në vazhdim.

Jeta Lakrori, shefe e departamentit të promocionit të shëndetit në Institutin e Shëndetit Publik, (ISHP), jep më poshtë përgjigje të vlefshme për pyetjet e përzgjedhura mbi virusin që sot është kthyer në shqetësimin e ditës së mbarë botës.

Çfarë është virusi i gripit A/H1N1 ?

Ekzistojnë disa tipe virusesh që shkaktojnë gripin si tipi A, B e C. Tipet e viruseve A e B janë shkaktarët më të shpeshtë të gripit.

Gripi A/H1N1 është gripi më i fundit që qarkullon në shumë vende të botës dhe shkakton një sëmundje infektive akute të rrugëve të frymëmarrjes.

Pse quhet edhe gripi i derrave?

Quhet edhe gripi i derrave mbasi fillimisht gripi u takua në njerëz që kishin kontakte direkte me derrat.

Infeksionet tek njerëzit me këtë virus janë vënë re që nga vitet 1950 kryesisht në persona të cilët kanë pasur kontakt të drejtpërdrejtë me derrat.

Një ose më shumë specie janë infektuar nga virusi i gripit

Virusi i gripit mund të infektojë edhe derrin ,të shkëmbejë material gjenetike dhe të formojë virus te ri .

Personat me kontakt te ngushte me derrat janë infektuar nga virusi i ri.

Këta persona kane transmetuar virusin në persona të tjerë.

Si përhapet virusi i gripit A /H1N1?

Gripi A /H1N1është një sëmundje infektive shumë ngjitëse .Virusi i gripit A/H1N1. transmetohet nga një person tek tjetri nëpërmjet kollitjes, teshtimave ose edhe thjesht dhënies së dorës një personi të infektuar me virusin e gripit A/H1N1. Viruset përhapen në ajër dhe nëpërmjet grimcave të ajrit futen në gojë, grykë dhe hundë, ku shtohen dhe japin shenjat e gripit A/H1N1, 1 deri 4 ditë pas futjes së virusit në organizëm.

Për sa kohë një person i infektuar përhap virusin e gripit tek të tjerët?

Një person i infektuar konsiderohet përhapës i virusit të gripit për sa kohë, ai ka shenja të gripit si:temperaturë të lartë, kollë,teshtima, etj, deri në 7 ditë pas shfaqjes së sëmundjes. Fëmijët, veçanërisht ata më të vegjlit, mund të jenë përhapës të virusit të gripit për një kohë edhe më të gjatë.

Cilat janë shenjat e gripit A/H1N1?

Temperaturë e lartë

Të dridhura / ethe

Dhimbje koke

Lodhje

Kollë

Dhimbje fyti

Diarre, të vjella ,etj

A jep gripi A/H1N1 komplikacione?

Gripi mund të japë komplikacione si pneumonia, si dhe të acarojë sëmundje kronike si astma, diabeti, etj.

A ka vaksinë për virusin e gripit A/H1N1?

Vaksina kundër këtij virusi është duke u prodhuar. Edhe ne kemi porositur një sasi dhe fillimisht do të vaksinohen disa grupe të popullatës si punonjësit e shëndetësisë,apo grupet vulnerabile, si fëmijët, gratë shtatzëna, të sëmurët kronikë.

A mund të përdoren medikamente për parandalim?

Medikamentet si Oseltamiviri (Tamiflu) dhe Zanamaviri(Relenza) nuk përdoren dhe nuk kanë efekt parandalues.

Ato përdoren vetëm nëse jemi të sëmurë me gripin A/H1N1 dhe duhen të merren brenda 48 orëve nga fillimi i sëmundjes.

KUJDES! Medikamentet duhen te merren vetëm me këshillën e mjekut.

A transmetohet gripi A/H1N1 me ngrënien e mishit të derrit apo produkteve të tij?

Gripi A/H1N1 nuk transmetohet nga ngrënia e mishit të derrit apo produkteve të tij.

Gatimi(zierja ose pjekja) ne 70 grade celsius shkatërron çdo lloj mikrobi.

Si mund ta mbroni veten nga virusi i gripit A/H1N1?

Disa nga masat mbrojtëse janë:

Mënjanimi i kontakteve me njerëz të sëmurë

Larja e mirë e duarve, shpesh me ujë e sapun,për 20 sekonda

Ngrënia e shëndetshme

Kryerja e aktivitetit fizik

Gjumë i mjaftueshëm

Si të kujdesemi për një person të sëmurë në shtëpi?

Mbajeni të sëmurin veç nga të tjerët

Lani duart mirë me ujë e sapun mbas çdo kontakti me të sëmurin

Mbuloni gojën dhe hundën me shami apo maskë kur kujdeseni për të sëmurin

Ajroseni ambientin ku qëndron i sëmuri

Pastroni dhe dezinfektoni mjediset ku banoni

Çfarë duhet të bëni nëse jeni të sëmurë?

Nëse nuk ndjeheni mirë, keni temperaturë, kollë apo dhimbje fyti:

Qëndroni në shtëpi. Mos shkoni në punë, shkollë,etj

Evitoni turmat e njerëzve

Pushoni dhe përdorni lëngje me shumicë

Mbuloni gojën dhe hundën me shami apo maskë kur kolliteni apo teshtini

Lani duart mirë me ujë e sapun mbas çdo kollitje apo teshtime

Informoni familjarët dhe miqtë tuaj për sëmundjen tuaj

Evitoni kontaktet me njerëzit

Kontaktoni për sëmundjen tuaj me mjekun e familjes apo shërbimet shëndetësore atje ku ju banoni, sidomos nëse keni udhëtuar në ato vende ku ka pasur raste me grip A/H1N1.

/e.l/a.k/NOA/

KOMENTE