Nga Klodiana Kotorri
Durrës, 24 korrik NOA/ UPDATE - Dallgët dhe frika nga mbytja e detyronin 38-vjeçarin Sabit Kuçi të lahej në breg të detit në plazhin e Durrësit, ku familjarisht kishte ardhur me pushime.
Ai përpiqej të ruante veten duke u kujdesuar të mos futej thellë në det, por as kështu nuk ka mundur të mbajë larg vdekjen e cila i erdhi nga një motor uji.
Neglizhenca e organeve kompetente, u ka hapur rrugë "qeflijve" të motorëve të ujit të xhirojnë në det madje edhe në breg në plazhin e Durrësit aty ku bregu është i mbipopulluar.Nëse do të kishte pak më shumë kujdes nga ana e organeve kompetente, atëherë drejtuesit e motorëve të ujit nuk do të guxonin të bënin spektakle në breg të detit, dhe ndoshta 38-vjeçari Sabit Kuci i cili kishte ardhur për pushime nga Drecani i Kosovës, do të ishte ende gjallë.
Mësohet se Kuci prej disa ditësh kishte mbërritur nga Kosova në plazhin e Durrësit për të kaluar pushimet.
Më datë 15 korrik, teksa po lahej në breg të detit jo shumë thellë një motor uji ka kaluar me shpejtësi duke e sharruar atë në kokë.
Pa ndjenja 38-vjeçari është parë nga familjarët e tij të rrëzohet menjëherë në ujë.
Ata janë përpjekur t'i japin ndihmën e parë duke e nxjerrë nga uji dhe më pas e çuan në spital.
Ai luftoi me vdekjen për tetë ditë më radhë duke iu dorëzuar asaj mesditën e djeshme.
Pas ngjarjes forca të shumta policie patrullonin në gjithë bregdetin e Durrësit për të identifikuar autorin apo edhe për të ndaluar të tjerë motorë uji.
Por kujtesa e policisë apo edhe organeve të tjera përgjegjëse, se në bregdet qarkullonin motorë uji, Â erdhi vetëm pasi u njoftuan se një motor kishte sharruar kokën e një pushuesi kosovar dhe se ai po luftonte me jetën dhe për më tepër që gjithçka ndodhi ne metrin e dytë të bregut të detit.
Policia tashmë nuk lejon qarkullimin e motorëve të ujit pranë bregdetit, dhe për këtë po ushtron kontrolle të rrepta.
Por i gjithë ky angazhim erdhi pas ngjarjes së rëndë e cila tmerroi pushuesit e plazhit të Durrësit, ndërsa jehona e krimit pasoi edhe në bregdetin e Vlorës, Sarandës etj, kur plazhistët dilnin nga uji të alarmuar sapo shihnin ndonjë motor uji qoftë ky edhe shumë metra larg tij.
"Nuk isha shumë thellë kur një motor uji kaloi vetëm një metër larg meje. U tmerrova, dallgët që krijoi shpejtësia e motorit për pak më rrezikuan jetën. Ndërsa shpëtova prej motorit vetëm për pak. Mësova më pas se ai po ndiqej nga policia pasi një ditë më parë në Durrës ishte plagosur një pushues nga një motor uji" tha një pushuese në plazhin e Dhërmiut".
Veç aksioneve për largimin e motorëve të ujit, policia po punon dhe për identifikimin dhe kapjen e drejtuesit të motorit që plagosi pushuesin kosovar.
k.k/NOA