English

Arrestohen dy të dyshuar për vrasjen e "Dodës", ish-truproja i Kosenit

Elbasan, 25 korrik, NOA Update - Aksion special i forcave policore të Elbasanit, është zhvilluar vetëm para pak minutash duke çuar në pranga dy persona të dyshuar si autorë të vrasjes së "Dodës", ish krahu i djathtë i Kosenit.

Kanë rënë në prangat e policisë dy persona të dyshuar për vrasjen e pak ditëve më parë të të ashtuquajturit "Doda", ish-efektivit të antidrogës në Elbasan, Roland Rexhepi.

Lajmi konfirmohet për agjencinë e Lajmeve NOA nga burime operacionale të policisë së Elbasanit, të cilat thanë se arrestim i dy personave në moshë të re, u bë në periferi të qytetit të Elbasanit.

Sakaq, burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Elbasanit, i thanë agjencisë së lajmeve NOA se operacioni është ende në proces dhe shtuan se në një moment më të vonshëm do të dalin me një pohim zyrtar.

Nuk konfirmohet identiteti i dy të ndaluarve si të dyshuar për vrasjen e 42-vjeçarit Roland Rexhepi, ndërsa burimet jozyrtare konfirmojnë se ata janë nga qyteti i Elbasanit.

I njohur edhe si krahu i djathtë e truproja i ish-drejtorit të Policisë së qarkut Elbasan, Edmond Koseni, në vitet 1998-2001, vrasja e Roland Rexhepit ka shkaktuar një tronditje në këtë qytet, për shkak se "Doda" njihej gjerësisht pasi qëndronte pranë ish-kryepolicit Koseni, jo vetëm në aksionet operacionale por edhe në xhirot patrulluese që Koseni kryente çdo pasdite në bulevardin kryesor.

Ngjarja që i mori jetën 42-vjeçarit Roland Rexhepi ndodhi tre ditë më parë kur ai mbeti i vrarë kur u qëllua nga persona të armatosur në një atentat pranë shtëpisë së tij në lagjen "Vullnetari" të qytetit të Elbasanit.

"Doda", për vite me radhë ishte aktiv në sektorin e Antidrogës në drejtorinë policore të Elbasanit por prej afro dy vjetësh nuk ishte më në radhët e policisë pasi u bë pjesë e punonjësve të policisë që iu nënshtruan reformës.

/a.k/e.n//NOA/

Â

KOMENTE