English

Basha: Pas zgjedhjeve, ja lëvizje tona diplomatike për integrimin në BE

Tiranë, 25 korrik NOA - Në përfundim të procesit zgjedhor, tejet i rëndësishëm për përafrimin e Shqipërisë me Bashkimin Europian, dhe që u vlerësua nga personalitet më të larta europiane dhe amerikane në deklarata publike si më i miri i zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri, është intensifikuar dinamika diplomatike në lidhje me integrimin europian të vendit.

Përshpejtimi i shqyrtimit të kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian dhe heqja e vizave për qytetarët shqiptarë kryesojnë axhendën e diplomacisë shqiptare.

Pikërisht për këto dy çështje prioritare, ditët e fundit, Ministri i Punëve të Jashtme z.Lulzim Basha ka patur një sërë bisedash telefonike me homologë të tij.

Biseda telefonike mes Ministrit Basha dhe Ministrit të Jashtëm të Suedisë z. Karl Bild, vend i cili ka kryesinë radhës së Bashikimit Europian, u bë publike nga shefi i diplomacisë suedeze në konferencën për shtyp me Ministrin e Jashtëm të Islandës në Stokholm.

Carl Bildt, një nga njohësit më të mirë të Ballkanit dhe mbështetës i procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian ka siguruar se Presidenca Suedeze mbështet shqyrtimin pa vonesa të kërkesës së Shqipërisë për statusin e kandidatit si dhe përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave për shtetasit shqiptarë. Shqyrtimi i shpejtë i kërkesës së Shqipërisë është kërkuar publikisht edhe nga Ministri i Jashtëm i Italisë dhe ish zv/President i Komisionit Europian Franko Fratini në një deklaratë publike, bërë në Trieste.

Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë bëri sot të ditur se Ministri Basha ka zhvilluar paraditen e djeshme një bisedë telefonike edhe me z. Frattini.

Duke e falenderuar ministrin Frattini për mbështetjen e fortë që Italia i jep integrimit europian të Shqipërisë, Ministri Basha e ka njohur homologun Frattini me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, si dhe angazhimin e Qeverisë Shqiptare për të vijuar me vendosmëri në plotësimin e detyrimeve që rrjedhin nga procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ministri i Jashtëm Italian rikonfirmoi vullnetin dhe angazhimin e palëkundur të Italisë për përmbushjen, në kohë të shpejtë të liberalizimit të regjimit të vizave për qytetarët shqiptarë si dhe të shqyrtimit të kërkesës, siç e vlerësoi ai, tashmë të avancuar të Shqipërisë për kandidim në Bashkimin Europian.

Frattini ka vlerësuar progresin e madh të bërë nga Shqipëria dhe ka theksuar se Italia do të vazhdojë të jetë avokate e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, ndërsa ka shprehur edhe përgëzimet për kryeministrin Berisha për fitoren e zgjedhjeve të 28 qershorit. Menjëherë pas aplikimit të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian me 28 prill në Pragë, Kryeministri Suedez Reinfeld tha se kjo kërkesë do të shqyrtohet pas zgjedhjeve. Procesit zgjedhor në Shqipëri po i vjen fundi.

Pas përfundimit të procesit të ankimimit në Kolegjin Zgjedhor, të hënën do të jetë KQZ që, me nxjerrjen e rezultateve përfundimtare e mbyll tërësisht procesin zgjedhor në Shqipëri duke i hapur kështu rrugë, një sërë zhvillimesh të rëndësishme që lidhen me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

/a.k/e.l/NOA/

KOMENTE