Kukës, 25 korrik NOA - "Dua të shpreh realisht një keqardhje se, pavarësisht se ai është një kundërshtar, por kur e dëgjoj t'u thotë shqiptarëve çdo ditë marrëzira të padëgjuara në 20 vitet e fundit, nuk mund të mos ndjesh në rrafshin njerëzor dhimbje" ka qenë përgjigjja e kryeministrit Berisha, pyetjes së gazetarëve në lidhje me deklaratat e kryetarit të Partisë Socialiste se nuk njeh qeverinë e dalë nga këto zgjedhje.
"Një ditë u deklaroi se TEC-et me qymyr nuk ndërtohen më në Europë, në një kohë kur, në fakt, kriza energjetike i ka rikthyer ato më fuqishëm se ndonjëherë. Ditën tjetër, ne miratuam detyrën e studimit të zonës Kashar-Vorë-Prezë dhe ai doli dhe u tha shqiptarëve se Tirana është 2800 hektarë, ndërsa në KRRTRSH u miratuan ndërtime për 3500 hektarë. Unë do të isha shumë i lumtur, në rast se do të ndërtohej një qytet i madh me 3500 hektarë, por e vërteta është se ky është një problem i largët, jo i afërt" tha më tej Berisha.
Duke iu referuar deklaratëve të njëpasnjëshme të kreut të PS-së, Edi Rama, kryeministri Berisha tha: "Dje doli e deklaroi se nuk do të njohë legjitimitetin qeverisë, prapë një marrëzi. Nuk është ai që përcakton legjitimitetin e qeverisë, por atë e përcakton sovrani, i cili i rezervoi atij banesën e humbjes, i dha humbjen. Tani po të dojë, të bëjë Hamletin çdo ditë në monologun e tij, ne do të ecin drejt Shqipërisë europiane. Kjo zonë do të ketë një rrugë të standardeve europiane. Ajo i ka pasuritë e tjera, po i mungonte rruga, ujësjellësit, vaditja dhe ne e shndërrojmë këtë në një territor të një vendi evropian"
k.k/NOA