Tiranë, 25 Korrik NOA - Fatime Krasniqi, mësuese në komunën e Malishevës, mbeti pa fjalë kur lexoi në qendër të dhomës së nipit dhe mbesës kornizat e punimeve të tyre mbresëlënëse.
Një mesazh i shkurtër, që ajo nuk ka për të harruar kurrë: "Mirënjohja". Si për ta shprehur më të plotë gëzimin e saj, ajo tregon se: "Fëmijët erdhën ditën e parë duke kërcyer shumë të kënaqur. Më tregonin se me sa shumë dashuri e përkushtim i kishin bërë punimet e tyre bashkë me drejtuesin e grupit gjatë kampeve tuaja".
Si nipi dhe mbesa e saj, Arbëri e Artemisa dhe 1800 fëmijë të komunës së Malishevës përjetuan këtë verë ditë të këndshme në shoqërinë e kampeve verore edukative dhe argëtuese të organizuara për të tetin vit radhazi nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë.
Plot pesë kampe në shkollat e Malishevës, Carallukës së sipërme dhe të poshtme, Banja dhe Begaj ishin panorama gjeografike më e bukur e aktivitetit.
Çdo ditë fëmijët shikonin një dramë në lidhje me aspekte të ndryshme të mirënjohjes, e cila ishte edhe tema qendrore e kampit.
Ditën e parë fokusoheshin në aspektin e shprehjes së mirënjohjes, ditën e dytë si të kultivojmë frymën e mirënjohjes dhe të tretën si të jemi mirënjohës në situata të vështira. Programi përmbante lojëra, këngë, diskutime në grupe, punëdore e kokteil.
Fëmijët ishin në aktivitet  për rreth katër orë në ditë. Paradite merrnin pjesë fëmijë nga parashkollorët deri te klasat e katërta dhe mbasdite nga klasat e pesta deri në klasat e nënta.
Një ditë ishin programuar lojërat olimpike, dhe në fund festa e përgatitur nga vetë grupet e fëmijëve pjesëmarrës.
Izahir Begaj, drejtor i shkollës 9-vjeçare në fshatin Begaj u shpreh se kjo punë pasqyron qetësinë në shpirtin human të 24 të rinjve vullnetarë të Kishës së Shqipërisë.
"Ne e vlerësojmë me notën më të lartë punën dhe angazhimin e ekipit. Programi përmbante teknika arsimore, edukative dhe sociale. Ne vlerësojmë përpjekjet tuaja për ndërtimin e të ardhmes sonë. Bashkëpunimi shpresoj të jetë i gjatë dhe në frymën e miqësisë".
"Kampet që ju organizoni kanë një emër shumë domethënës. Një emër që është me perspektivë për të nesërmen. Gjithë kjo që bëni është e vlefshme dhe ju keni parë që fëmijët tanë janë shoqërizuar, miqësuar dhe kanë krijuar një dashuri për punën që ju bëni" -Â Â tha ndër të tjera Izet Shala, drejtori i shkollës "Naim Frashri" në Banjë.
Kampet u organizuan me leje nga Drejtoria Arsimore e komunës së Malishevës dhe për të gjithë këtë bashkëpunim nismëtari dhe drejtuesi i këtyre aktiviteteve me fëmijët kosovarë, përfaqësuesi i Kishës Orthodhokse Nathan Hoppe falënderoi të gjithë pjesëmarrësit: "Ju falënderojmë ju prindër që na mbështesni dhe ju jepni mundësi fëmijëve të marrin pjesë në kamp. Ju urojmë një verë të mbarë, pushime të mbara dhe një fillim të ri të vitit shkollor të mbarë. Falënderojmë stafin që ka punuar këtu dhe ashtu siç ka thënë edhe drejtori i shkollës tuaj, një falënderim të veçantë për Kryepiskopin Anastas dhe gjithë anëtarët e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Ju përcjellim përshëndetjet dhe urimet e tyre për një vit të mbarë".
Që prej kohës së luftës në vitin 1999 tradita e bashkëpunimit mes të rinjve të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe mësuesve kosovarë bashkë me nxënësit e tyre të shkollave në fushën e edukimit dhe argëtimit të fëmijëve ka përcjellë mesazhe frytdhënëse.
Bashkëpunimi ka thelluar edhe më tej miqësinë vit pas viti. Interesi i fëmijëve për këto kampe po rritet nga viti në vit aq sa, siç tregon edhe znj. Fatime Krasniqi, kur përfundon shkolla, fëmijët e presin me padurim këtë kamp, sepse ata çlodhen dhe mësojnë të bëhen njerëz të dijes dhe të kulturës.
Â