Hagë, 25 korrik, NOA - Gjykata Ndërkombëtare për krime lufte në Hagë ka dënuar liderin serb ultranacionalist, Vojsllav Sheshel, me 15 muaj burgim për zbulim të identitetit të disa dëshmitarëve.
Sheshel u akuzua për zbulimin e pseudonimeve të tre dëshmitarëve të mbrojtur në një libër të shkruar prej tij. Gjykata po ashtu i dha urdhër atij ta heqë librin nga faqja e tij në internet deri më 7 gusht.
Më parë, Gjykata e Hagës kishte lëshuar një urdhër për mbrojtjen e identitetit të dëshmitarëve nga rreziku i raprezaljeve ndaj tyre. Ata kishin dëshmuar me emra të rremë, me teknologji që ua ndryshonin zërin.
Sheshel, që vazhdon të jetë udhëheqës i Partisë Radikale të Serbisë, do të përballet po ashtu me 15 akuza të tjera nga Gjykata e Hagës, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftërave në Kroaci dhe Bosnjë në fillim të viteve 90-të.
n.e/NOA
Â