Prishtinë, 25 korrik, NOA - Kosova ende nuk është e gatshme të përfshihet në procesin e liberalizimit të vizave, që është proces i pastër teknik.
Këtë e ka pohuar ushtruesi i detyrës së shefit të Zyrës ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, Kjartan Bjornson.
Por Bjornson nuk e ka përjashtuar mundësinë që vendimi të ketë pasur edhe implikime politike. "Vendimi i qeverisë e Kosovës që njëanshëm të implementojë kriteret e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave, - sipas Bjornson, - është një hap shumë pozitiv".
Dhe ka shtuar se nëse Kosova implementon me përpikëri dhe bindshëm vetë këto kushte, këto hapa natyrisht do t'ia lehtësojnë rrugën drejt procesit të liberalizimit të vizave. Por, sipas tij, me gjithë reformat e bëra Kosova nuk është e gatshme për këtë proces. "Kosova nuk është e gatshme ende për këtë proces, dhe ky është një proces i pastër teknik. Është e qartë po ashtu se ka edhe çështje politike për të cilat Kosova nuk është përfshirë në procesin e liberalizimit të vizave. Këto çështje dhe shqetësime të tjera do të përfshihen në raportin e fizibilitetit që do të publikohet në tetor". Ndërkohë, duke folur për vlerësimin e shoqërisë civile se Kosova po shndërrohet në një geto vizash, Bjornson ka potencuar se një vlerësim i tillë është ofendues. "Të them sinqerisht mendoj se përdorimi i fjalës geto është ofenduese. Në këtë kontekst qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë lirshëm me viza në shtetet e BE-së dhe në shtetet fqinje, prandaj Kosova nuk është një geto," vlerësoi ai. Bjornson po ashtu ka mohuar kategorikisht mundësinë që Komisioni ka bërë përjashtime të shteteve në baza religjioze në procesin e liberalizimit të vizave.
n.e/NOA