Tiranë, 25 Korrik NOA - Partia Socialiste vlerëson se qeveria aktuale është një shtatanike që po fut vendin në rrugën e asgjëkundit.
Këto deklarata, i bëri zëdhënësja e PS, Armela Imeraj, duke replikuar me kryeministrin Sali Berisha, i cili akuzoi Kryetarin e Partisë Socialiste, se e ka quajtur rrugën Durrës-Kukës "rruga e asgjëkundit".
Imeraj theksoi se Berisha kishte prodhuar kështu "shpifjen e ulët të ditës, në të njëjtën ditë që Kolegji Zgjedhor mbylli turpshëm maskaradën zgjedhore me shkeljen flagrante të ligjit dhe mohimin e përsëritur të së drejtës demokratike të opozitës për të bërë transparencë mbi kutitë e dyshuara të Beratit, Tiranës e Shkodrës.
"Sali Berisha vijoi rrugëtimin e turpshëm të akuzave e të shpifjeve në adresën e Kryetarit të Partisë Socialiste, ndërkohë që në rrugën e asgjëkundit hyri përfundimisht qeveria e shtatanike e çiftit të ri të politikës së vjetër", - deklaroi Imeraj.
"Kjo qeveri, - vijoi ajo, - doli jo vetëm nga zgjedhje pa standarde demokratike, por edhe nga dhunimi i ligjit dhe të drejtës demokratike të opozitës deri në etapën e fundit të procesit ku drejtësia nuk dha drejtësi, por vulosi padrejtësinë e pandershmërinë e zgjedhjeve të 28 qershorit".
"Dje, Sali Berisha vazhdoi shfaqjen e inaugurimit të rrugëve pa buxhet, - shtoi Imeraj, - në përpjekjen për të fshehur krizën ekonomike dhe politike ku vendi tanimë ka hyrë realisht, në radhë të parë sepse Sali Berishës nuk i intereson vendi, por vetëm pushteti i përfitimeve për oborrin e tij familjar, interesat e të cilit do ta shtyjnë përditë e më shumë në rrugën e asgjëkundit qeverinë shtatanike të dalë nga krimi elektoral i 28 qershorit".
/e.l/k.k/NOA
Â