Ky do të mund të ishte titulli i një Dokumenti strategjik, i cili do t'i merrte parasysh, në mënyrë krejtësisht reale, të gjitha problemet të cilat duhet të adresohen dhe të zgjidhen prej nesh, ashtu që Kosova të përgatitet për hyrjen në Bashkimin Evropian
Nga Blerim Shala
Nënkryetar i Parë i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës
Lajmet e këqija dhe problematike, mbërrijnë ngadalë në këto anë. Për këtë shkak, mbase, pastaj, reagimet tona janë të shpejta, të menjëhershme, befasuese nga pak, emocionale gjithsesi, nganjëherë të pamatura, shpeshherë pa një cak të qartë, rrallëherë të menduara mirë. Jo vetëm ne, në Kosovë, në shtetin më të ri në Evropë (dhe në Botë), por edhe fqinjët tanë, duket që akoma nuk kemi kuptuar që Bashkimi Evropian gjendet në një udhëkryq sa i përket perspektivës politike afatgjatë. Konsolidimi para zgjerimit - ky është parimi prijës që i bashkon kryeqendrat më të mëdha evropiane. Thënë ndryshe, evropianët e kanë ndërmend të merren një herë me vetveten, me rregullimin e brendshëm të BE-së e cila duhet të bëhet më funksionale, më e organizuar, më efikase sesa që është sot, në mënyrë që të lejojë më pas zgjerimin e familjes evropiane me shtetet e tjera nga Ballkani Perëndimor - në mesin e të cilave është edhe Kosova. Kjo do të thotë që realisht, dyert e BE-së do të mbyllen për Ballkanin Perëndimor, për një periudhë që nuk matet dot me pak vite. Në ndërkohë, Brukseli, natyrisht, do të përpiqet t'i bindë shtetet e mbetura të Ballkanit Perëndimor, që ato kanë një perspektivë evropiane, dhe që herët a vonë, ato do të mbërrijnë të sendërtojnë synimin strategjik - të integrimit në BE, i cili shumë shpesh shërben si forcë lëvizëse për t'i fituar zgjedhjet. Qytetarët e këtyre shteteve, (si gjithkund tjetër në Botë, do të mund të shtohej), duan jetë më të mirë, më të qetë, më stabile. Ata, dhe këtu kanë të drejtë, besojnë që me t'u bërë "nënshtetas të BE-së" (përmes inkuadrimit të shteteve të tyre në Bashkimin Evropian), më lehtë mund të jetësohen këto qëllime. Për këtë shkak, politikanët e këtyre vendeve, lidhin fatin e tyre me fatin e hyrjes së shtetit të tyre në BE, bashkojnë fitoren në zgjedhje me ngadhënjimin e agjendës pro-evropiane. Prandaj, nuk duhet çuditur që pakkush këndejpari (në këto anë të Evropës), ka vullnet të lexojë si duhet porositë që mbërrijnë prej Brukselit për vendnumërimin e procesit të zgjerimit të BE-së, dhe thuaja askush nuk do që qytetarët e vet t'i informojë që duhet edhe shumë vite punë, përpjekje, djersë dhe mundime, për të parë flamurin e shtetit të vet të ngritur në kryeqytetin e Evropës, në Bruksel. Për ne, kosovarët, kjo çështje duket akoma larg, shumë larg, sepse ne, së paku nga perspektiva e tanishme, jemi të fundit në listën e pritjes (dhe të shpresës) të shteteve që do të bëhen pjesë përbërëse e Bashkimit Evropian. Tema BE, në Prishtinë dhe në Kosovë mbërriti në këtë verë po ashtu përmes një lajmi të keq, që lidhej së pari me mostrajtimin fare të Kosovës për fitimin e të drejtës që qytetarët e saj të udhëtojnë pa viza në shtetet e Bashkimit Evropian, dhe së dyti, me përfshirjen e Kosovës, tok me Shqipërinë dhe me Bosnjën dhe Hercegovinën, në listën e zezë të Shengenit. Frustrimi i kosovarëve, dhe jo i vetëm i tyre, u shumëfishua me të shpejtë, kur u kuptua që Serbia ka lënë prapa këtë pengesë, dhe që prej 1 janarit, 2010, qytetarët e saj do të udhëtojnë kah Evropa vetëm me pasaporta dhe pa viza. Në dy javët e shkuara, nuk ka pasur temë më të trajtuar prej nesh sesa kjo për mungesën e Kosovës në hartën evropiane për liberalizimin e vizave. U harrua, thuaja në tërësi, UNMIK-u dhe PSSP-ja Zannier, Rezoluta 1244 dhe OKB-ja, telashet tona në rrugëtimin e mundimshëm kah OKB-ja, debatet, thuaja gjithmonë të kota, se kush ka më shumë merita në Prishtinë që një shtet i ri pranoi pavarësinë e Kosovës, etj.etj. Të gjithë ne, politikanët, publicistët, gazetarët, ekspertët dhe qytetarët, u morëm, në mënyrat e ndryshme, me Letrat publike dhe komentet e editorialet e shumta, me këtë çështje të dhimbshme. Kosovarët, në masë të madhe, me gjithë përvojën e viteve të pasluftës e cila nuk është aspak impresive, vazhdojnë ta perceptojnë BE-në si një organizim thuaja të përsosur dhe të pagabueshëm, prandaj nuk duhet habitur që aq shumë pakënaqësi, kritikë, madje dhe pezëm dhe mllef u gjet në reagimet tona publike në adresë të Brukselit. U përzien, si shumë herë më para, patetika dhe politika, kritika e arsyeshme dhe e bazuar, me thirrjet për një drejtësi ndërkombëtare dhe për llogaritë dhe borxhet nga e kaluara, për të mbërritur në konkludimet të cilat, në të shumtën e rasteve, nuk kanë kurrfarë peshe për vitin 2009, për Evropën dhe Botën e sotme, për rrethanat e tanishme ndërkombëtare, për vetë shtetin e Kosovës në vitin e dytë të ekzistencës së tij. Të gjithë ne duhet të provojmë ta kuptojmë realitetin, si për mënyrën se si (s)funksionon BE-ja, cilat janë telashet e tanishme të Bashkimit Evropian, pse Brukseli ka qasje të kësisojt ndaj rajonit, ndaj shteteve të veçanta të tij, por gjithashtu, të gjithë ne, do të duhej të përpiqemi të marrim vesh se çfarë duhet të bëjnë në shtetin e Kosovës, në mënyrë që t'i bindim edhe ata që janë skeptikët më të mëdhenj kur bëhet fjalë për perspektivën evropiane të Kosovës, që ky shtet, që Kosova do ta meritojë anëtarësimin në BE. Si të jetësohet ky qëllim? Për ta bërë Kosovën shtet funksional, të organizuar mirë, i cili do të ecë me hapa të shpejtë drejt Brukselit, para së gjithash, duhet ta bëjmë BE-në strukturë funksionale, të organizuar mirë, me synim të qartë, brenda Kosovës. BE-ja është në Kosovë, në disa mënyra: Me Zyrën e EUSR-së (Përfaqësuesit Special të BE-së, Pieter Feithin), me EULEX-in, Misionin e rendit dhe ligjit, me Komisionin Evropian. Për shkak që pesë shtete të BE-së nuk kanë njohur akoma Republikën e Kosovës, ka pengesa të nduarnduarta për funksionimin e duhur të Bashkimit Evropian në Kosovë. Kosova duhet të kalojë shumë teste për të hyrë në BE, por vlen edhe e kundërta, në rastin tonë: Kosova, po ashtu, është një test i madh për Bashkimin Evropian, i cili, pa marrë parasysh se qysh dhe si definohet prania e tij këndejpari, është i përfshirë në një proces të shtet-ndërtimit. Dështimi eventual në këtë proces nuk do të jetë vetëm dështim i kosovarëve, por edhe i BE-së. Ky lajm duhet sërish të shkojë prej Prishtinës në Bruksel. Dhe mënyra më e mirë për ta bërë këtë punë është që autoritetet institucionale të Kosovës, të nisin të pranojnë gjendjen reale në këtë fushë shumë të rëndësishme, duke hequr dorë prej qëndrimeve të tyre të cilat favorizojnë bindjet dhe përshtypjet që s'kanë të bëjnë fare me realitetin në Kosovë dhe me raportet e mirëfillta Prishtinë - Bruksel. Kosova dhe BE duhet të jenë partnerë të mirëfilltë në ndërtimin e shtetit të Kosovës, ashtu që më pas ky partneritet do të mund të drejtohej kah inkuadrimi i Kosovës në BE. Natyrisht, pozicioni dhe fuqia e Kosovës në këtë relacion, në këtë partneritet, varet shumë prej aftësisë sonë vetanake për ta ngritur kualitetin e qeverisjes, cilësinë e zhvillimit ekonomik, për ta ndryshuar, thelbësisht, gjendjen brenda shtetit të Kosovës, në të gjitha aspektet e mundshme. Këto zhvillime janë të lidhura njëra me tjetrën, janë në raporte të varshmërisë. Në vitet para se të definohej statusi i Kosovës, kishim modelin e Standardeve para Statusit. Tash e tutje, do të mund të hartohej një Dokument Strategjik i Kosovës, i cili do të mund të përcaktonte qartë, në bazë të kërkesave të njohura të BE-së, standardet që duhet përmbushur që Kosova të mbërrijë statusin e të qenit shtet në BE. Agjenda Kosova në BE. Ky do të mund të ishte titulli i këtij Dokumenti strategjik, i cili do t'i merrte parasysh, në mënyrën më reale të mundshme, të gjitha problemet të cilat duhet të adresohen dhe të zgjidhen prej nesh tash e tutje, në mënyrë që Kosova të përgatitet për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Ky dokument do të duhej t'i bashkonte të gjitha partitë politike, të gjithë liderët relevantë, të gjithë Kuvendin e Kosovës. Na duhet një demonstrim i cilësisë, i përkushtimit, i zotësisë, i gatishmërisë sonë për ta bërë Kosovën shtet të suksesshëm, dhe këtë shtet anëtar të BE-së.
"Express", Prishtinë