English

Berisha-ministrave: Të lehtësohen procedurat në pikat kufitare, pa cenuar sigurinë

Tiranë, 27 korrik NOA - Kryeministri, Sali Berisha zhvilloi sot një takim me disa ministra të kabinetit, në të cilin u diskutua lidhur me masat që duhen ndërmarrë për lehtësimin dhe reduktimin në maksimum të burokracive në kalimin e kufirit, duke mos cenuar sigurinë.

Berisha kërkoi nga institucionet përkatëse angazhimin maksimal, në ofrimin e një shërbimi sa më të mirë, në pikat e kalimit kufitar, pa cenuar kushtet e sigurisë.

Sipas kryeministrit, është i nevojshëm bashkëpunimi me të gjitha agjencitë që ushtrojnë kontroll në pikat e kalimit të kufirit.

"Ju thirra që të gjykojmë dhe të dalim me një vendim, në rast se është e nevojshme me një vendim qeverie, ose me një marrëveshje të përbashkët midis të gjitha agjencive, që ushtrojnë kontroll në pikat e kalimit të kufirit" u është drejtuar Berisha, ministrave.

Duke vlerësuar sistemin e kontrollit në pikat doganore të Morinës dhe Muriqanit, kryeministri kërkoi që të ndiqen të njëjtat praktika edhe në pika të tjera, duke lehtësuar sa më shumë të jetë e mundur fluksin e të ardhurve në këto ditë sezoni turistik.

Ai kërkoi nga ministrat e pranishëm  ndjekjen e shembullit të vendeve të tjera, të cilat ofrojnë praktika të standardeve të larta bashkëkohore, në kontrollin e kufijve, që lehtësojnë burokracitë dhe ruajnë sigurinë.

Në takim merrnin pjesë Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, Ministri i Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olldashi, Ministri i Bujqësisë Jemin Gjana, zëvendësministri i Financave Florian Mima, Drejtori i Doganave Endri Pema, si dhe Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Agron Kuliqi.

k.k/NOA

Â

Â

KOMENTE