English

Dënim me kusht për Edi Ramën

Përkundër tamtameve që tashmë kanë nisur në mediet e interesuara për ta nxitur dhe ushqyer sherrin brenda PS, ikja e Edi Ramës do të rrezikonte t'i prishte përfundimisht ekuilibrat edhe ashtu të dëmtuara rëndë brenda partisë dhe sidomos grupit të saj parlamentar, që është edhe qendra gravitacionale e një partie në një sistem parlamentar

Nga Skënder Minxhozi

Në një intervistë për revistën "Mapo" në fund të marsit të këtij viti, Edi Rama, atëherë i projektuar drejt fushatës së afërt elektorale, deklaronte se "politika e re është rruga e re e komunikimit me njerëzit dhe kundërshtarin... qasja e re ndaj problemeve të vendit, duke ndarë qartazi problemet e përbashkëta, të cilat duhen zgjidhur përmes rrugëve të dialogut dhe mirëkuptimit, sepse janë probleme që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me standardet e lirisë dhe demokracisë. Politika e re është një sjellje e re në skenën e politikës shqiptare...". Vetëm pak javë kanë kaluar nga zgjedhjet e 28 qershorit dhe në e dimë se kjo platformë politike, kjo strukturë logjike dhe ky vullnet i pakryer për të kthyer faqen njëherë e mirë në Shqipëri, kanë marrë një goditje të rëndë nga votuesit. Edi Rama dhe revolucioni i tij politik kanë humbur. Ndoshta edhe vetë Berisha s'ka fituar, por kjo ka vetëm rëndësi relative, nga momenti që Ilir Meta vendosi t'i hedhë atij kamerdaren e shpëtimit në çastin e mbytjes.

Dilemat e fundit të zgjedhjeve po zgjidhen në bankat e gjykatave dhe shumëkush në opozitë mendon sot me trishtim se zgjedhjet fitohen ditën kur votohet, e jo më pas. Ashtu siç zemërohet tek sheh tabelën e shifrave, e cila i thotë sesa pranë, por edhe larg fitores ka qenë kësaj radhe.

Defektet e një fushate

Lista e defekteve të kësaj fushate të majtë është e gjatë, por ndoshta çarja dhe garimi individual mund të rreshtohen si elementi qendror i humbjes, prej nga del e qartë edhe nevoja për të riparuar me urgjencë atë që mund të riparohet. PS ka sot nevojë më shumë se kurrë për të gjitha asetet e saj. Strategjia e përjashtimit stoik dhe kokëfortë ka dështuar në të gjithë dimensionin e saj më 28 qershor dhe tani shumëkush në parti, më së pari kryetari i saj, duhet të rishohin me themel atë që kanë thënë dhe bërë para zgjedhjeve. Rezultati i zgjedhjeve tregoi ndër të tjera se zhveshja e dhunshme e partisë nga një listë e gjatë emrash dhe CV drejtuesish, deputetësh e funksionarësh gjithfarësh, e shoqëruar me një politikë shpërfillëse ndaj aleatëve politikë dhe atyre potencialë, bëri që mijëra vota të mbeten rrugës apo të ndërrojnë drejtim. Rama thotë shpesh këto ditë se ka bërë gabimin taktik të mosllogaritjes së "trenit të Berishës". Pra të koalicionit të gjatë të partive dhe partiçkave që iu bashkuan koalicionit të tij dhe që sollën qindra dhe mijëra vota në thesin e madh të së djathtës, duke i dhënë asaj jo rrallë fitore milimetrike në të gjithë territorin.

Ndërsa Berisha mblidhte rreth vetes edhe ato që shumëkush i shihte si të panevojshme apo të dëmshme, për shembull PR me historinë e saj të Gërdecit mbi shpinë, Rama shpërfillte hapur çdo tentativë që rrekej t'i kujtonte atij se nuk ishte kjo rruga e fitores. Është interesant të vërehet se si dy figura aq të kundërta, si Rama dhe Nano, kanë shkelur në distancë kohore prej katër vjetësh, në gjurmë shumë të ngjashme elektorale. Kush kujton fushatën e ish-kreut historik në verën e 2005, s'ka si të mos sjellë ndërmend ecjen e tij përtace nga një qytet në tjetrin, në shoqërinë e bashkëshortes, duke mënjanuar me fodullëk aleatë dhe bashkëpunëtorë, militantë dhe votues potencialë.

Nga pozita krejt ndryshme, edhe pasardhësi i tij erdhi e krijoi me partinë dhe elektoratin e majtë një distancë që mbushej me bindjen e verbër se zgjedhjet ishin tashmë të fituara dhe se rrugëtimi i tij nëpër Shqipëri ishte formal dhe i ngjante një misioni fetar, më shumë sesa një lëvizjeje politike.

Por, me sa duket, Rama nuk kishte harruar vetëm "trenin e Berishës", por edhe një tjetër tren brenda krahut të tij politik dhe që përbëhet nga "vagonët" e LSI, PSV'91 dhe vetë aleatëve formalë PSD, PDS, PBDNJ e G99, pa përjashtuar prurje të tjera eventuale brenda llojit që mund të sillte rrugëtimi elektoral. Me të gjithë këta komponentë politikë, në specifikat e tyre, Rama është sjellë keq, ashpër dhe pa taktin e natyrshëm të "kreut të karvanit". Kokëfortë dhe i paepur në ëndrrën e tij për të nxjerrë nga loja këdo dhe me një të rënë të lapsit, Edi Rama pa se si spastrimi politik që kishte planifikuar, u kthye në bumerangun më të rëndë e dëmprurës për atë dhe partinë e tij në harkun e 24 orëve. Projekti për një terren të spastruar nga Nano, Meta dhe Berisha u zëvendësua brenda natës së 24 qershorit në rikthimin më të pamenduar të këtyre dy të fundit dhe ngjalljen e shpresave të të parit.

Kostoja e politikës së vrapit vetmitar të Edi Ramës është para syve tanë, me gjithë dramaticitetin që ajo mbart për PS e sotme dhe atë të nesërme. Në fakt, për të gjithë të majtën shqiptare dhe perspektivën e saj të afërt. Në këtë optikë përfshihet edhe rezultati eventual që do të dalë nga debati i brendshëm në parti dhe që mund të krijojë kosto të tjera, me figura drejtuese të mbetura rrugës, të ftohura me partinë apo të spostuara në marzhet e jetës politike aktive.

Kreu i PS po tund fort në ajër sot kartën e vjedhjes së zgjedhjeve. Me anë të kësaj strategjie të minutës së fundit dhe pa kurrfarë shprese suksesi, ai po mundohet të dëmtojë sa të mundet imazhin e zgjedhjeve dhe të gjejë një alibi për humbjen brenda partisë. Rama e ka ditur që në krye të herës se përballë më 28 qershor ka manipuluesin më të vjetër të politikës shqiptare, Sali Berishën. Nëse sot ai e sheh veten duke administruar një rezultat vërtet të devijuar nga blerjet e manipulimet, ky është sërish një gabim i tiji flagrant në kalkulimin e koeficientit "vjedhje".

Të ikë apo të rrijë?!

Në katër korrik Edi Rama mbushi 45 vjeç. Një përvjetor i shënuar, në një moment për t'u harruar. Për shumëkënd që i ka qëndruar pranë, kjo ka qenë dita më e keqe e liderit socialist, i cili u ndodh në ato orë jo pak i tunduar nga ideja e një dorëheqjeje të parevokueshme. Pastaj, si me magji, erdhi deklarata e Metës që i bashkohej Berishës dhe gjithçka ndryshoi. Rama gjeti alibinë, fijen e kashtës ku të kapej dhe kartën me të cilën do të motivonte (a është vërtet e mundur?!) socialistët rreth vetes dhe kudo në Shqipëri.

Edi Rama sot duhet ta ndërtojë nga e para strategjinë e tij politike për vitet që vijnë. Kjo sepse së pari ai aktualisht nuk ka një të tillë. Tezat e "politikës së re" dhe "përtej së majtës dhe të djathtës", me të cilat ai kishte planifikuar ta çonte në pushtet PS, duken sot mjaft të dëmtuara dhe çuditërisht të vjetruara. E dëmtuar është gjithashtu edhe strategjia e fitores pa u përplasur me kundërshtarin.

Një provim i vështirë po i troket në derë liderit socialist. Jo ai me kundërshtarët dhe rivalët që janë afishuar ditët e fundit, por me zgjedhësit dhe me historinë. Edi Rama duhet ta ketë të qartë se, në rast rikonfirmimi, me shumë gjasë në krye të PS edhe për katër vjetët e ardhshëm në opozitë, ai duhet të pranojë të ulet sërish në poltronin më të lartë të partisë, vetëm pasi të ketë bërë një akt të madh publik faljeje dhe ndryshimi. E gjitha kjo duhet të ndodhë, sepse, nëse ka një arsye sot, për të cilën Edi Rama duhet larguar nga kreu i PS, është jo ajo çka ka bërë, por ajo çka rrezikon të mos bëjë. Pra të hiqet në emër të së ardhmes dhe jo si pasojë e së shkuarës.

Projekt i ri, lider i vjetër

PS e sotme ka një problem të madh lidershipi. Kjo as që mund të mohohet në kushtet aktuale. Edi Rama i tanishëm i duhet pakkujt, me siguri nuk i duhet as vetë Edi Ramës. Mënyra e tij e të bërit opozitë, e lehtë, spontane dhe thellësisht moskokëçarëse u provua joefektive dhe e dështuar. Dhe që nga rrënojat e një humbjeje që ai nuk e pa të vinte dhe që nuk e mënjanoi, kur qe pranë, të nxirren mësimet e nevojshme, duhet një kthesë e fortë timoni, një stil i ri opozite, ku forma nuk triumfon mbi përmbajtjen dhe ku nuk ekzistojnë fitoret e lehta. Historia na thotë se Sali Berisha mundi të fitojë në 2005, vetëm pasi mblodhi rreth vetes të gjithë ata që dikur i kishte përjashtuar me dru nga partia dhe kur krijoi imazhin (hipokrit) të një lideri përfshirës, e jo të një skifteri vetmitar. Edi Rama mund të pretendojë se ky është një precedent që s'bën për të, por kjo është gjithsesi një përvojë politike që mund të vlejë për të lexuar momentin e tanishëm politik që kalon opozita dhe lidershipi i saj.

Fati personal i Edi Ramës ka pak rëndësi në këtë mes. Madje duket sikur pas gjithë kësaj që ka ndodhur, ai vetë nuk ka pothuajse asnjë alibi në favorin e tij. Por ky fat merr gjithsesi peshë në kontekstin e përgjithshëm të një partie, e cila nuk mund të mos preket dhe dëmtohet nga një rotacion i mundshëm që vjen pas një humbjeje të rëndë në zgjedhjet e përgjithshme. Përkundër tamtameve që tashmë kanë nisur në mediet e interesuara për ta nxitur dhe ushqyer sherrin brenda PS, ikja e Edi Ramës do të rrezikonte t'i prishte përfundimisht ekuilibrat edhe ashtu të dëmtuara rëndë brenda partisë dhe sidomos grupit të saj parlamentar, që është edhe qendra gravitacionale e një partie në një sistem parlamentar.

Përtej së drejtës së gjithkujt që të reklamojë evidentimin e përgjegjësive të kryetarit në një situatë humbjeje, largimi i Ramës tani ka pak gjasa që ta zgjidhë problemin e madh të ruajtjes së kohezionit të partisë dhe atë të një lidershipi të fortë. Kandidimi i mundshëm i Blushit dhe Malajt qëndrojnë brenda logjikës së humbjes dhe të nevojës urgjente për një analizë të thellë dhe të gjithanshme në PS. Klima e rezervës dhe pasivitetit që po e ndjek pas këtë proces s'ka të bëjë me formatin dhe atë që këta dy politikanë përfaqësojnë, sesa me instinktin e vetëmbrojtjes që ka mbështjellë partinë gjatë orëve të fundit, sidomos pas kalimit të Metës në kampin e Berishës.

Rama ka qenë vërtet një kryetar që ka dëshmuar shenja dobësie deri në kufijtë e paradoksit. Prapa imazhit të tij të ngrysur e pse jo edhe arrogant, është shfaqur jo rrallë njeriu i pavendosur, politikani që ulte zërin dhe që hezitonte të jepte goditjen e fundit të shpatës, kur të gjithë e kërkonin këtë. Por ikja e tij në këto kushte dhe në këtë kontekst konkret zhvillimesh brenda dhe rreth PS nuk e zgjidh krizën e lidershipit të kësaj partie dhe të të gjithë opozitës. Përkundrazi, duket se do ta rëndonte atë.

Kjo opozitë eventualisht katërvjeçare do të jetë e gjatë dhe e vështirë. Sidomos në kushtet kur përballë PS do të qëndrojnë në kuadrat qeveritar dy armiqtë kryesorë të bërë bashkë. Berisha dhe Meta parashihet të jenë mjaft agresivë me grupin e madh opozitar, i cili shihet tani i rrezikuar nga rrjedhjet e mundshme. Një fat jo më të mirë, në rastin e një debati të skajshëm që lidhet me lidershipin, mund të kenë edhe strukturat vendore të PS, të cilat që në zgjedhjet e afërta lokale do të vihen nën trysninë e shitblerjeve, sidomos nga LSI.

Kjo situatë e vështirë është makthi, por ndoshta edhe avantazhi i fshehtë i Edi Ramës sot në raport me kundërshtarët e tij brenda partisë. Por, nëse vërtet Rama do të kërkojë të jetë edhe një herë "shoferi" i autobusit socialist, ai s'mund të mjaftohet kurrsesi me stilin e tij të evitimit të përballjeve dhe të heshtjes taktike. Kësaj radhe Edi Rama duhet të flasë qartë dhe hapur se çfarë bëri keq dhe çfarë mendon të bëjë ndryshe dhe mirë në krye të partisë për katër vjetët e ardhshëm të opozitës, ku ai më së pari i la socialistët. Podiumi i kongresit të pritshëm pret që tani mesazhin e hapur dhe të fortë të të gjithë atyre që do të pretendojnë kreun e partisë, të Ramës apo edhe të Blushit, Malajt apo dikujt tjetër. Sa i takon kryetarit aktual të partisë, martesa mes tij dhe PS, nëse do të vijojë sërish edhe pas shtatorit, është tashmë thjesht një marrëdhënie kontrate dhe jo më dashurie. Si e tillë, pakti mes Ramës dhe partisë që drejton duhet të jetë i detajuar, transparent dhe detyrues për palët. Për ata që votëbesojnë dhe për atë që votëbesohet.

Projekti i ecjes vetmitare, i shpërfilljes së gjithkujt dhe gjithçkaje, i arrogancës dhe imponimit të paarsyeshëm së brendshmi dhe i opozitës së ndrojtur, i shmangies së fakteve dhe kundërshtarëve së jashtmi - kjo periudhë amullie dhe opozite të improvizuar, ka mbetur e asgjësuar në "bedenat" e 28 qershorit. Edi Rama duhet të nisë më në fund të jetë politikan dhe jo misionar i një feje, e cila nuk e pa ditën e shugurimit. Një projekt i madh unitar, që të mbledhë e të rivlerësojë të gjitha ato vlera dhe ide, figura dhe sigla politike të shpërndara apo të braktisura në rrugën triumfale të "politikës së re" dhe që janë të gatshme të bashkëpunojnë me PS e kryetarin e saj, duket e vetmja mënyrë që opozita e majtë të rigrupohet dhe të gjejë motivet për një fillim të ri. Nëse Edi Rama mendon se mund ta bëjë këtë, duke hequr publikisht dhe me sinqeritet nga vetja të gjithë pjesën parazitare të projektit që dikur e paraqiste si të vetmin e mundshëm, atëherë ai vërtet do ta meritonte një shans të dytë. Përndryshe, i mbështjellë në guaskën e heshtjes që e karakterizon dhe i dominuar nga fobia e "armiqve të brendshëm", ai veçse do ta kompromentonte pa kthim fatin e tij politik dhe ç'është më e rënda, atë të partisë që po kërkon të drejtojë sërish.

Askush s'i ka borxh sot Edi Ramës, as Ben Blushi, as Arben Malaj, e aq më pak socialistët e tjerë që i hapën rrugë dhe i lanë fushë të lirë veprimi pa asnjë kusht dhe pa asnjë rezistencë kryetarit të partisë. Përkundrazi, është Edi Rama ai që sot është në borxh të thellë me partinë e tij, me opozitën dhe me disa qindra-mijë votues në të gjithë vendin që kujtonin se po votonin fitoren dhe triumfin mbi kastën e vjetër politike e që sot shohin me dëshpërim se ka ndodhur pikërisht e kundërta. Nuk ka ndonjë siguri të madhe se Rama do ta lajë borxhin e madh politik që u ka sot atyre. Por a ka ndonjë zgjidhje tjetër në horizont?! Me sa po duket, jo!

Publikuar nga "Tema"

Shënim: Shkrimet e publikuara në rubrikën "Opinion", nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht, qëndrimin e agjencisë NOA

KOMENTE