Nga Rajmonda Lajthia
Tiranë, 27 Korrik NOA - Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë vendimin e qeverisë, i cili detyroi importuesit të blinin naftën D2 vetëm te kompania ARMO.
Vendimi është cilësuar si një cënim i lirisë ekonomike duke i dhënë të drejtë Shoqatës së Hidrokarbureve në ankimin e saj.
Në argumentimet e paraqitura, Gjykata Kushtetuese evidentoi se Këshilli i Ministrave ka tejkaluar kompetencat me vendimin që ka marrë në janar të këtij viti.
Zëdhënësja e këtij institucioni, Edlira Abazi shprehet për agjencinë e lajmeve NOA se "Qeveria ka tejkaluar kompetencat, pasi ligji që rregullon tregun e hidrokarbureve nuk i jep të drejtë ekzekutivit të ndërhyjë për të bërë kufizime në treg".
Kufizime të tilla të pjesshme, janë vendime të cilat merren edhe në vendet e Bashkimit Evropian. Ky ka qenë edhe argumenti me të cilin qeveria mbrojti qëndrimin e saj.
Por gjykata kushtetuese shprehet se kjo situatë sjell një favorizim të dukshëm të prodhimit vendas dhe një kufizim të produktit të importit, duke sjellë shkelje të ligjit.
Pas privatizimit të kompanisë shtetërore nga "Taçi Oil" pronë e Rezart Taçit, qeveria vendosi që nafta e cilësisë jo të mirë D2 të tregtohej vetëm nga ARMO duke krijuar një monopol të dukshëm në këtë treg.
Importuesit detyroheshin që të tregtonin këtë produkt duke e blerë vetëm tek ARMO.
Reagimi i biznesit
Pas shfuqizimit të vendimit nga Gjykata Kushtetuese, importuesit janë të lirë ta blejnë naftën D2 në çdo vend të Bashkimit Evropian. Por kjo situatë ende nuk ka ndryshuar në praktikë pasi nuk ka një reagim zyrtar nga qeveria.
Bizneset e këtij tregu shprehen nëpërmjet një deklarate zyrtare se do të nisin një proces gjyqësor për të kërkuar dëmshpërblim për efektet 7 mujore që ka dhënë kjo nismë e qeverisë.Â
Ministria e Ekonomisë në janar të 2009 mbrojti qëndrimin e qeverisë duke pranuar monopolin që krijonte, vetëm me pretendimin se do të reduktoheshin ndotjet në mjedis.
Shqipëria konsumon 340 mije tonë naftë importi në vit, nga të cilat 240 mijë janë naftë e cilësisë D2, ndaj importuesit llogarisin se efektet negative të këtij vendimi në treg arrijnë në 190 milionë euro.
I pari që reagoi për këtë çështje ishte Autoriteti i Konkurrencës, i cili e cilësoi një shkelje të hapur të rregullave në treg, por që më vonë ndryshoi qëndrim pas deklaratave zyrtare edhe të kryeministrit.
/r.l/k.k/NOA/
Â