English

Fëmijët e vuajtur gjejnë strehë të paharruar pushimesh në Zvicër

Tiranë, 27 Korrik NOA - Mëse 52 fëmijë nga shtresat në nevojë të fshatrave Gërdec dhe Marqinet si dhe 6 fëmijë me aftësi të kufizuar nga qyteti i Tiranës, nisin nesër pushime të paharruara në Zvicër, si një dhuratë bamirësie posaçërisht për ta.

Së bashku me 12 mësues si shoqërues, të vegjlit shqiptarë janë ftuar për të kaluar pushimet e tyre në një fshat të mirënjohur e të specializuar fëmijësh, në Trogen, në Zvicrën lindore, nga 28 korriku deri më 11 gusht 2009.

Kjo tashmë është hera e tretë që të rinjtë shqiptarë janë ftuar për të kaluar pushimet e tyre dy javore në Zvicër me shpenzimet e palës zvicerane.

Çdo vit Fondacioni Swisscor organizon një kamp pushimi në Zvicër me shërbime mjekësore ku mirëpret fëmijë nga shtresat në nevojë, fëmijë me aftësi të kufizuar ose djem e vajza të braktisur, të moshës 9-14 vjeç si dhe ndihmon viktimat e krizave madje edhe të luftës.

Në 2009 janë ftuar 58 fëmijë nga Shqipëria - së bashku me 20 të tjerë nga Bosnja-Hercegovina - në një kamp pushimi veror në një rajon piktoresk. Appenzell, që ndodhet në pjesën lindore të Zvicrës, ka kodra të rrumbullakëta dhe është një nga kantonet më autentike zvicerane ku akoma mbahen gjallë traditat.

Kështu, të rinjtë do të gëzojnë një cilësi të mrekullueshme jete dhe do të jenë të rrethuar nga lëndina të gjelbra në rrëzë të shkëmbit para-alpin Säntis.

Programi i kampit të pushimit, që fokusohet në njohjen e shumë kulturave dhe në krijimin e miqësive të reja, përfshin një seri aktivitetesh të ndryshme: sport, lojëra, aktivitete kulturore, ekskursione dhe piknikë, udhëtim me varkë në liqenin e Kostancës, festimin e festës kombëtare të Zvicrës më 1 gusht, si dhe shkëmbime me shkollat zvicerane.

Këto dy javë për 70 personat nga Shqipëria, përfshijnë udhëtimin me avion, ushqimin dhe akomodimin, të gjitha ekskursionet, sigurimin mjekësor si dhe ndaj aksidenteve, mbikëqyrjen e specializuar (si mjekë të përgjithshëm që mund të sigurojnë ndihmë për ata që kanë nevojë).

Mbështetur në ndihmën e Ambasadës së Zvicrës në Tiranë për vizat - Shengen si dhe në mbështetjen logjistike të Zyrës së Bashkëpunimit Zviceran në Shqipëri, Fondacioni Swisscor ka shpenzuar vetëm për fëmijët shqiptarë rreth 15 milionë Lekë.

Siç duket dhe në foto, 58 fëmijët nga Gërdeci dhe do të qëndrojnë në fshatin piktoresk të fëmijëve Pestalozzi-Trogen/Appenzell, ku do të kalojnë pushimet e tyre dyjavore.

/a.k/e.l/NOA/

KOMENTE