Shkodër, 27 Korrik NOA - Një burrë në moshë të thyer, i dënuar në vitet e diktaturës komuniste për të famshmen akuzë të agjitacionit dhe propagandës, nuk i ka lënë përballjet me ligjin, pasi sot ka tentuar të vrasë për një vijë uji.
Korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA, informon se është kryer kapja dhe arrestimi në flagrancë i 75-vjeçarit Ali Arifaj, lindur dhe banues në fshatin Kryezi, komuna Qafë Mali i rrethit Pukë.
Arrestimi erdhi një orë pasi ai, ndërsa gjendej në vendbanimin e tij në lagjen "Arifaj" të fshatit Kryezi, në grindje e sipër për vaditje uji ka tentuar të vrasë me armë zjarri tip pistolete, shtetasin Besim Arifaj, fqinjë i tij.
Në fakt ngjarja precipitoi. Fillimisht Ali Arifaj ka gjuajtur në drejtim të Besim Arifajt. Pak çaste më vonë, ky i fundit, (Besim Arifaj), ka arritur t'i marrë pistoletën.
"Nga ana jonë janë kryer veprimet procedurale ku është bllokuar në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit tip pistoletë me nr C-197539", - deklaroi policia.
Nisur nga sa më sipër, i arrestuari Ali Arifaj sipas policisë, ka konsumuar elementët e veprave penale të "vrasjes me dashje të mbetur në tentativë" dhe mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake".
Policia konfirmoi edhe faktin se Arifaj, përveçse ishte dënuar më parë për veprat e atëhershme penale të agjitacionit dhe propagandës, edhe për krimin e vrasjes së mbetur në tentativë dhe rrahjen.
/r.d/e.l/NOA/