English

Mitrovicë, situata vlerësohet e qetë dhe pa probleme

Mitrovicë, 27 korrik NOA - Përfaqësuesit e strukturave politike dhe atyre të sigurisë të Mitrovicës vlerësuan sot se gjendja e sigurisë në këtë komunë në dy javët e fundit ka qenë e qetë dhe pa probleme. Kryetari i Komunës Mitrovicë, Bajram Rexhepi, tha se javët e fundit nuk ka pasur incidente ndëretnike dhe ngjarje që do të ndikonin në gjendjen e përgjithshme të sigurisë.

Ai përgëzoi qytetarët si dhe strukturat e sigurisë si Policinë e Kosovës, Policinë e EULEX-it dhe KFOR-in, të cilët janë duke kontribuuar në normalizimin e situatës.

Për gjendje të qetë folën edhe përfaqësuesit e strukturave të sigurisë, bën të ditur bashkëpunëtori i agjencisë së lajmeve NOA.

Komandanti i stacionit jugor të policisë, kapiten Bashkim Spahiu, tha se në dy javët e fundit në këtë pjesë të qytetit nuk ka pasur asnjë incident të karakterit madhor që do të reflektonte në situatën e përgjithshme.

Edhe përfaqësuesit e Policisë së EULEX-it theksuan se situata është e qetë edhe në veri të qytetit, duke përfshirë edhe Kroin e Vitakut ku procesi i rindërtimit po shkon pa probleme.

Në lidhje me procesin e rindërtimit, Rexhepi theksoi se tashmë atje tensionet kanë rënë dhe është kuptuar se të gjithë kanë të drejtë të ndërtojnë në pronat e tyre.

"Procesi është duke shkuar mirë. Ne jemi në kontakt me strukturat e sigurisë, në mënyrë që të gjithë të jenë të informuar për këtë proces. Rindërtimi është një e drejtë elementare dhe nuk mund t'i mohohet prej askujt", - tha Kryetari i Komunës Mitrovicë, Bajram Rexhepi.

Në këtë kontekst, ai theksoi se edhe serbët kanë filluar të pastrojnë pronat që kanë blerë në atë lagje.

Por, para se të fillojnë të ndërtojnë duhet të marrin leje nga organet kompetente, meqë kemi të bëjmë me ndërtime të reja, porositi kryetari i Mitrovicës, Rexhepi.

Ai njëherësh shprehu gatishmërinë për bashkëpunim për të gjitha projektet që kanë të bëjnë me krijimin e kushteve për jetë më të mirë si me strukturat e sigurisë ashtu edhe me komunitetin serb, në mënyrë që të shmangen problemet, por precizoi se kushtëzimet nuk do të pranohen prej askujt.

/a.b/k.k/NOA/

KOMENTE