Tiranë, 27 Korrik NOA - Për vrasjen që ndodhi dje në dalje të kryeqytetit, ngacmimi i një vajze është motivi që nxjerr policia. Sipas saj, autori i dyshuar ngacmonte kushërirën e të vrarit dhe pas sherrit mes palëve ndodhi dhe krimi.
Ngjarja ndodhi dje në orën 13.30, në rrugën e Durrësit, në afërsi të Doganës së Tiranës, kur është qëlluar me armë zjarri duke gjetur vdekjen e menjëhershme 25-vjeçari Artan Allushi, 25 vjeç.
Në ngjarje mbetën të plagosur edhe vëllai i të ndjerit, Nertil Allushi, 22 vjeç dhe xhaxhai i tyre Kujtim Allushi, 50 vjeç. Grupi hetimor, identifikoi si autor të kësaj ngjarjeje, 38-vjeçarin Bashkim Jusuf Qefalia, lindur dhe banues në Babrru, Tiranë.
Autori i dyshuar Bashkim Qefalia, pas kësaj grindjeje ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të Artan, Kujtim dhe Nertil Allushit, ku për pasojë dyshohet se është dëmtuar edhe vetë.
Të plagosurit u dërguan menjëherë në spitalin Ushtarak Tiranë, ku 22 vjeçari Nertil Allushi ndodhet në gjendje të rënduar shëndetësore ndërsa Kujtim Allushi aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Paraprakisht dyshohet se viktima dhe dy personat e plagosur, kanë debatuar fillimisht me autorin e dyshuar ku më pas janë konfliktuar me këtë të fundit, për motive të dobëta.
Hetimet nxjerrin si pistë, akuzën e dy djemve dhe xhaxhait të tyre ndaj të dyshuarit se ai u ngacmonte një vajzë të familjes.
Sa më sipër, strukturat e Hetimit të Krimit të Policisë së Tiranës, kanë vendosur shumën e parave prej 500.000 lekësh shpërblim, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje, Bashkim Qefalia, i cili tashmë është identifikuar.
"Në çdo rast do të ruhet anonimati duke telefonuar në numrat 069 41 11 021 si dhe në numrin telefonik pa pagesë 129", - deklaroi Policia e Tiranës.
Policia tha se për autorin e dyshuar, materialet e përpiluara do t'i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale të "Vrasjes në rrethana cilësuese" dhe të "Armëmbajtjes pa leje".
/a.k/e.l/NOA/