Stokholm, 27 korrik, NOA Update - Ministri i Punëve të Jashtme i Suedisë, Karl Bild deklaroi sot se Ballkani Perëndimor, ku përfshihet Shqipëria, mund të destabilizohet nëse në një të ardhme të afërt nuk bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.
Deklarata e z.Bild vjen pasi sot në Bruksel, Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian, diskutojnë për procesin e zgjerimit, e veçanërisht për kandidaturën e Islandës për anëtarësim në BE.
"Bashkimi Evropian rrezikon që të humbasë kredibilitetin dhe t'i kontribuojë destabilitetit politik të Ballkanit nëse vendet e rajonit nuk i afrohen përmbushjes së synimit të tyre sa i përket anëtarësimit në BE", ka deklaruar Bild për gazetën londineze "Financial Times".
Sakaq, Agjencia Rojters raporton se pritet që ministrat e jashtëm të BE-së të përsërisin perspektivën për anëtarësim në BE të vendeve të Ballkanit dhe të theksojnë se do ta shqyrtojnë kërkesën e Shqipërisë për pranim, pasi të kompletohen procedurat e saj të zgjedhjeve.
***
Ministri i Jashtëm i Suedisë, e cila aktualisht e kryeson presidencën e radhës së Bashkimit Evropian, para takimit të sotëm ka folur edhe për mediat e akredituara në Bruksel dhe tha se për Islandën "mund të jetë një rrugë më e shkurtër, pasi ky vend tashmë është pjesë e tregut të përbashkët dhe e zonës Shengen".
Më tutje ai theksoi se derisa të punohet me Islandën, lidhur me procesin e pranimit, qeveritë e vendeve anëtare të BE-së, nuk duhet t'i harrojnë vendet që synojnë anëtarësim nga Ballkani, siç është Shqipëria.
"Nuk mendoj se frustrimet e mundshme në Ballkan, kanë të bëjnë me Islandën. Çdo gjë ka të bëjë me bllokadat që i kemi", tha Bild, duke theksuar se "kjo e shqetëson shumë".
Z.Bild, vendi i të cilit aktualisht ka presidencën e radhës së BE-së, ka tërhequr vëmendjen se nacionalistët në rajon sërish mund të forcohen në llogari të forcave politike proevropiane në disa ish-republika jugosllave në rast se gjasat e tyre për anëtarësim në BE nisin të dobësohen.
Nga ana tjetër, Bild ndër të tjera, u bëri thirrje politikanëve në Bosnje ku tensionet nacionaliste nxiten edhe luftën e vitit 1992-1995, që të reflektojnë pasi mosmarrëveshjet mes tyre do të rrezikojnë që vendi të ngelet pas vendeve të saj fqinje.
/e.l.k.k/NOA/