English

Rrëmbehet 20-vjeçari, për shkak të borxheve që kishte i ati

Prishtinë, 27 Korrik NOA - Një i ri shqiptar në Kosovë është bërë objekt i rrëmbimit nga disa persona, ku policia zbardhi se bëhej fjalë për një rast pengmarrjeje për shkak detyrimesh në formë huaje nga i ati.

Burime nga Shërbimi Policor i Kosovës i thanë agjencisë së lajmeve NOA se rasti u pranua nga policia rajonale e Pejës paraditen e të hënës.

Konfirmohet se policia ka arrestuar dy persona nga fshati Uçë i komunës Istog, me akuzën se kanë rrëmbyer dhe e kanë mbajtur peng rreth 12 orë 20-vjeçari nga fshati Gurakoc, po në komunën Istog.

Ngjarja kishte pikënisjen që në mesditën e së Shtunës, kur edhe dy të rinjtë kanë rrëmbyer në mes të fshatit 20-vjeçarin, me dhunë e kanë futur në makinë dhe pastaj e kanë mbajtur nën izolim përmes dhunës psikologjike dhe fizike, në një vend të veçuar jo larg vendbanimit të tyre.

Nga hetimet ka dalë se rrëmbyesit e moshës 24 dhe 30 vjeç, nga fshati Uçë i Istogut, e kryen rastin e pengmarrjes, pasi nuk po arrinin të merrnin mbrapa, paratë që babai i djalit kishte marrë në formë huaje kohë më parë prej tyre.

Policia ka deklaruar se lirimi i djalit u bë të Dielën, jo ngaqë pati ndërhyrje policie të drejtpërdrejtë, por sepse lëvizjet e policisë ishin të atilla që pritej të bienin në gjurmët e tyre.

a.b.k.k/NOA

KOMENTE