English

"Trojet e Arbrit": Klina të ndryshojë emrin e të quhet Qyteti Klinton

Prishtinë, 27 Korrik NOA - Shoqata "Trojet e Arbrit" me seli në Prishtinë, mbajti dje në Shkup, Sesionin e Tetë Shkencor me temën: "Shqiptarët gjatë viteve 1878 - 1948".

Kjo shoqatë në gjirin e vet përfshin veprimtarë të devotshëm nga të gjitha trojet shqiptare dhe diaspora.

Prof. Dr. Muhamet Shatri, Kryetar i Shoqatës "Trojet e Arbrit" dhe i Këshillit Organizativ të Sesionit të Tetë tha sot për agjencinë e lajmeve NOA se sesioni miratoi propozimin e Akademik Mark Krasniqit për ngritjen e një pllakati përkujtimor për viktimat e Tivarit dhe propozimin e kryetarit të Shoqatës "Trojet e Arbrit" për riemërtimin e qytezës së Klinës në Qyteti Klinton në ndërtim të angazhimit të tij për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.

***

Në këtë sesion u paraqitën 75 kumtesa nga studiues më eminentë nga Akademitë e Shkencave të Shqipërisë dhe të Kosovës, nga Institutet e Historisë, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Muzeu dhe Arkivi Shtetëror të Kosovës, nga katedrat e historisë dhe katedra të tjera të Universiteti i Prishtinës dhe atij të Tiranës, të Tetovës, të Shkodrës, të Durrësit dhe institucioneve të tjera shkencore shqiptare.

Pikësynim i këtij sesioni ishte trajtimi shkencor i një prej periudhave më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, asaj të viteve 1878 - 1948.

Në punimet e Sesionit të Tetë me kumtesa mjaft interesante u paraqitën edhe veprimtarë të komunitetit shqiptarë nga diaspora jonë dhe nga të gjitha trojet etnike shqiptare.

Studiues të shumtë që morën pjesë në sesion trajtuan çështje me interes për të kaluarën e lavdishme të Shkupit me rrethinë, si njëra ndër qendrat më të rëndësishme të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe të trojeve të tjera etnike.

Me mjaft interes ishin temat që zbardhnin qëndrimin e disa prej fuqive të mëdha dhe të shteteve ballkanike ndaj çështjes shqiptare me theks të veçantë në politikën e Austro-Hungarisë si dhe të Bullgarisë ndaj Shqipërisë së viteve 1908-1912.

Po ashtu, u trajtuan edhe çështjet që kishin të bënin me qëndresën shqiptare ndërmjet dy luftërave botërore kundër dhunës dhe terrorit serbo-jugosllav, për veçoritë dalluese të zhvillimeve në Kosovë dhe në trevat tjera shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore, për Lëvizjen Nacional Demokratike Shqiptare (1945-1948) dhe për ngjarje e figura kombëtare që kishin të bënin me këtë periudhë. Të gjitha kumtesat e paraqitura do të botohen në një vëllim të veçantë ngjashëm me botimet që janë bërë për sesionet e kaluara.

Meqenëse sesionet shkencore të kësaj shoqate për çdo vit organizohen nëpër qendra të ndryshme shqiptare, u vendos që sesioni i ardhshëm të mbahet në njërën nga lokalitetet e Malësisë së Madhe.

/a.b/e.l/NOA/

KOMENTE