English

Aksidentet, reagon ashpër policia rrugore e Durrësit, gjobit për 10 orë 215 drejtues

Durrës, 28 korrik NOA - Aksidentet e ndodhura gjatë tre ditëve të fundit në qarkun e Durrësit të cilat regjistruan tetë viktima dhe 13 të plagosur kanë detyruar policinë e këtij qyteti të marrë masa të rrepta ndaj drejtuesve të makinave.

Policia e Qarkullimit Rrugor në bashkëpunim me shërbimet e Patrullës së Përgjithshme ka vendosur pika kontrolli te Plepat, 2 pika kontrolli në aksin Stacioni Trenit-Rotonda Shkozet, zona këto të cilat paraqiten si më problematike.

Sipas policisë vetëm paraditen e sotme janë konstatuar me dhjetëra shkelje nga drejtuesit e mjeteve.

Burimet policore shtuan se nuk është toleruar asnjë rast shkeljeje duke gjobitur kështu drejtuesit e mjeteve.

Janë vendosur vetëm paraditen e sotme 215 gjoba me vlerë 1.850.000 lekë, janë bllokuar 15 automjete pa dokumentacion përkatës, 2 motorë, janë hequr 20 dëshmi aftësie për drejtim automjeti për lëvizje me shpejtësi tej normave të lejuara si dhe janë hequr 5-së dëshmi aftësie për drejtim automjeti pasi drejtuesit kishin përdorur pije alkoolike.

Sipas policisë në këtë shërbim janë të përfshirë 47 punonjës policie efektivë të qarkullimit rrugor mbështetur nga shërbimet e Patrullës së Përgjithshme.

Shërbimi do të vazhdojë pa ndërprerje gjatë 24 orëve.

k.k/NOA

Â

KOMENTE