Tiranë, 28 korrik, NOA Update - Punimet e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste kanë nisur pa praninë e medias për ndjekjen e tyre.
Forumi i lartë i selisë rozë e ka marrë vendimin për moslejimin e medias në punimet e saj përmes një procesi votimi, ku duket se shumica ka qenë dakord që gazetarët të mos lejohen që të ndjekin debatet dhe përplasjet me të cilat pritet të shoqërohet ky takim.
Duket se Partia Socialiste nuk ka interes që konfliktet e brendshme të saj t'i bëjë më publike, duke i përjashtuar mediat nga pasqyrimi i aktiviteteve të saj.
Tashmë në mjediset e sallës së "Xibrakut" ku është vendosur edhe të mbahet ky takim ka mbërritur kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, njëkohësisht edhe mbështetësit e tij, të cilët kanë mundur të fokusohen nga kamerat vetëm gjatë hyrjes në takim, por jo më pas, pasi edhe kamerat janë lënë të gjitha jashtë, duke mos patur mundësi të ndjekin fare takimin e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste.
Ndërkaq, burime pranë saj bëjnë me dijeni për agjencinë e Lajmeve NOA, se mjedisi i Xibrakut është zgjedhur për të zhvilluar këtë takim, pasi ai është konsideruar si më i gjeri për të përfshirë gjithë anëtarësinë e Asamblesë Kombëtare të PS.
Nga ana tjetër, bëhet me dijeni se deputetët e rinj të cilët nuk janë mandatar ende në mënyrë zyrtare për detyrën e tyre të re, do të marrin pjesë në Asamble, por p;a të drejtën e votës.
n.e/NOA