Në mes të paranojave se kompanitë e huaja do ta eksploatojnë pasurinë tonë, dhe mendjes së hapur për një ekonomi të lirë, Qeveria duhet ta zgjedhë sistemin e dytë. Le t'i thotë "po" autostradës, Kosovës së Re, shitjes së Valës dhe dhënies së Aeroportit me koncesion.
Nga Berat Buzhala
Â
Në tetor ka mundësi që në pjesën tonë të fillojë ndërtimi i autostradës që e lidhë Kosovën me Shqipërinë. Në dhjetor ka mundësi reale që dikush prej kompanive të mëdha botërore ta fitojë tenderin për ndërtimin e një apo disa termocentraleve që prodhojnë 2000 MW orë energji elektrike. Po në ketë vit, nëse diçka nuk ndërlikohet, Vala 900 mund të ndodhet në prag të shitjes. Një operator i madh aeroportual sivjet mbase do ta fitojë me koncesion të drejtën mbi aeroportin e Prishtinës. Ndoshta edhe për Hidrocentralin e Zhurit.... Mjafton kaq. Nuk dëshiroj të flas për disa projekte që do të procedohen prej Qeverisë së Kosovës në vitin 2010. Ketë vit do të shitet Kosova B, e ndoshta edhe rrjeti i distribucionit. Por, le të mbeten anash projektet e vitit të ardhshëm. Këtë herë do të mundohem të shpjegoj pse është jetësore që projektet e nisura të përfundojnë në vitin 2009. Pse shteti më i ri në Europë ka nevojë akute që ketë vit të sjellë këtu disa emra të njohur botëror në fushën e investimeve, më shumë se sa ndonjë njohje të vetë pavarësisë së vendit prej shteteve ishuj në oqeane? Nëse i injorojmë për pak çaste disa kompani sllovene që me seriozitet i janë futur tregut të Kosovës, nuk mund të hasim emra të tjerë firmash të njohura që kanë zbarkuar këtu ndonjëherë në histori. Krejt çka kemi pasur pas luftës në fushën e investimeve kanë qenë kryesisht disa mashtrues ordinerë, të llojit të Norway Invest, që në bashkëpunim me mashtruesit lokalë kanë provuar ta vjelin ndonjë kacidhe prej nesh. Mirëpo, ekziston një shpresë reale që gjërat ketë vit të lëvizin prej pikës zero. Dhe ky është lajm shumë i mirë, pa marrë parasysh nëse ngjashëm nuk mendojnë ca organizatka joqeveritare që po avokojnë për një zhvillim të ekonomisë vendore duke u mbështetur në forcat vetanake. Teori që do t'ua kishte zili edhe vet Todor Zhivkovi. Por, nuk ka lidhje. Për mua personalisht, më e rëndësishme është çka thotë biografia ekonomike e George Sorosit, e jo ajo e delegatit të tij të zhurmshëm në Kosovë, mbrojtësit të interesave kombëtare, Luan Shllakut. Shllaku po frikësohet mos rastësisht po prodhojmë rrymë më shumë se sa kemi nevojë dhe mos po e ndotim ambientin tonë gjelbërosh. Nëse aq shumë e preokupon ambienti, pse nuk po angazhohet për rrënimin e Kosovës A para vitit 2014, kur edhe është caktuar? Po për kushtëzimin e katalizatorëve për veturat? Pse bash Kosova e Re po e trazon, kur ekzistojnë të gjitha mundësitë që termocentrali i ri të jetë miqësor me ambientin deri në maksimum. Në fund të fundit, ekonomia e lirë e tregut shkon përtej dëshirave tona personale. Asnjë kompani serioze botërore nuk do të vjen këtu vetëm pse ne kemi prejardhje ilire. Kurse nëse rastësisht pajtohemi për t'i mbrojtur 100 për qind interesat tona kombëtare në ekonomi, mund ta zgjasim dorën deri në Tiranë për ta marrë platformën e Xhaxhit ultraproteksionit. Për t'i përfunduar disa projekte prej të cilave varet mirëqenia e kosovarëve, nuk është e thënë që duhet bindur bash secila kokë. Ka të tillë që thonë se as Valën nuk duhet shitur tash. Duhet pritur momenti! Cili moment? A ka moment më të mirë se sa ky, që ta zëmë, Vala të blihet prej Vodafonit, apo Telenorit? Këto janë kompani të tilla që emri i tyre në botë thotë më shumë se sa vet emri i shtetit tonë. Këto janë aso kompanish, që kanë shumë më tepër përfaqësi në botë se sa ne që kemi ambasada. Shpjeguesit më radikalë të ekonomisë së tregut insistojnë që edhe shteti është mirë të privatizohet. Unë nuk mendoj saktësisht kështu, por jam i bindur që përveç shtetit, pjesët e ekonomisë duhet shitur të gjitha. Ndonëse Vala është themeluar dhjetë vjet më parë, vetëm tash së fundi Qeveria arriti t'i marrë 200 milionë euro dividendë prej saj. Ky operator ka mundësi reale që në proces të privatizimit të shitet për gjysmë miliard euro. Qeveria duhet të pret disa dekada për ta marrë këtë shumë parash si dividendë, ose mund ta marrë tash në proces të shitjes. Vala ka qenë dashur të shitet shumë vite më parë, e të mos mbetet peng i mendimeve idiotike. Kurrë më shumë se tash nuk do të ketë nevojë për kesh në tregun tonë të varfër. Kurrë më shumë se tash nuk ka nevojë për emra të njohur të ekonomisë botërore. Një emër i tillë do të mund të ishte edhe Aeroporti i Vjenës, nëse do ta merrte me koncesion Aeroportin e Prishtinës, i cili duke qenë nën menaxhimin publik do ta ketë të vështirë të bëjë hapa tjerë përpara. Të gjithë, përfshirë edhe opozitën, duhet të gëzohen shumë kur në vjeshtë në Vërmicë do të fillojnë punët për vazhdimin e rrugës së Durrësit. Gëzimi do të ishte me pesë yje sikur punët t'i kryente ndonjë kompani si Bechtel, e cila numëron në gjithë botën rreth 50 mijë punëtorë dhe ka "ambasada" në rreth 50 shtete. Ky projekt, përveç që na lidh edhe pak më mirë më Shqipërinë, i rritë gjasat që si pasojë e rrugës të përfitojnë edhe shumë segmente tjera të ekonomisë. Është periferike ta brengosemi nëse është Hashim Thaçi kryeministri që do ta nisë dhe do ta përfundojë atë rrugë dhe ato projekte. E rëndësishme është që me projekte serioze ta mbështesim pavarësinë e Kosovës, e cila vetvetiu nuk ka kurrfarë kuptimi. Dhe kjo bëhet vetëm duke e hapur tregun, pa pasur paranoja të mëdha që dikush tjetër po na eksploaton. Përndryshe, sa për forca tona minierat e pasura me ari dhe plumb mund t'i shfrytëzojmë vetëm për puse uji. Shikoni çfarë bëmë me Hotelin Grand, kur u mbështetem në fuqinë lokale. Ky hotel fatkeq që gjendet në midis të Prishtinës është fotografia më brutale dhe më reale e pafuqisë tonë për të menaxhuar projektet serioze. Në mungesë të një vendi të rehatshëm në Prishtinë, politikanë dhe investitorë të ndryshëm që e vizitojnë Kosovën shtrëngohen që ditën të vijnë këtu e natën të flenë në Shkup - apo në rastin e zëvendëspresidentit amerikan, në kampin Bondsteel. A nuk do të ishte më mirë që ky hotel të kishte qenë pronë e ndonjë rrjeti të madh të hoteleve botërore (si Sheraton, Hilton)? Buxheti i Kosovës i ka fituar ca miliona euro prej shitjes së Grandit, por vazhdojmë t'i humbim ca milionë të tjerë pikërisht për mungesë të vendeve të përshtatshme. Fatin e tij do ta ndjekin edhe kompanitë tjera nëse ne nuk insistojmë për sa më shumë investime të huaja. Më shumë se sa kompanitë e mëdha, jemi ne ata që kemi nevojë për këtë.Â
(*) Kryeredaktor, "Express", Prishtinë