Tiranë, 28 korrik NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i shoqëruar nga bashkëshortja Teuta Topi, së bashku me homologun e tij të Malit të Zi, Filip Vujanoviç përuroi dje çeljen e Panairit IX të Librit, Ulqin 2009.
"Sonte të gjithë marrim diçka nga shkëlqimi i kësaj feste, sepse një Panair Libri, është një festë e mendjes dhe e zemrës. Vendet tona janë truall i begatë i legjendave, baladave, eposeve epike të asaj kulture gojore të pakrahasueshme që i ka paraprirë kulturës së shkruar, ndërsa sot vërejmë që edhe kultura e shkruar është në sintoni me kërkesat e kohës. Të gjithë jemi të vetëdijshëm që rrugëtimi i librit nëpër histori nuk ka qenë i lehtë, madje ka qenë i vështirë dhe me pengesa për më tepër në Ballkan. Të gjithë jemi dëshmitarë, se ato i përkasin së kaluarës dhe mbi to është ndërtuar një realitet i ri bashkëpunues dhe njohës" tha presidenti Topi gjatë fjalës së tij në këtë ceremoni. Duke u ndaluar më tej në rëndësinë e këtij Panairi të Librit, Kreu i shtetit shqiptar vuri në dukje se: "Shtëpitë botuese që vijnë natyrshëm nga Shqipëria, Maqedonia, Bosnja, Mali i Zi e nga shteti i ri i Kosovës me librat e tyre të shumëllojshëm, janë tregues të një klime të re demokratike, të një vendosmërie shpirtërore e intelektuale për të lënë pas çdo reminishencë të së kaluarës". "Në veçanti, një përshëndetje vëllazërore dua t'ua dërgoj të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Mal të Zi, të cilët janë një faktor i shkëlqyer bashkëjetese, bashkëpunimi, paqeje e stabiliteti, një komunitet, i cili po e rrit ndjeshëm kontributin e tij demokratik në këtë shtet, në të gjitha fushat e jetës! Tradita e krijuar me këtë Panair tregon gjithashtu që shqiptarët e Malit të Zi, duan gjuhën, duan librin, duan kulturën si shprehje të identitetit të tyre, identitet që duhet ruajtur dhe forcuar, sepse ai është pasuri dhe trashëgimi e përbashkët kulturore e këtij vendi, që po synon bashkim të shpejtë me familjen evropiane" tha më tej Topi. Në festën përururese të Panairit IX të Librit në Ulqin, ishin të pranishëm politikanë, shkrimtarë, artistë, personalitete të shquara në fushën e kulturës dhe të letërsisë, botues si dhe pushues duke vizituar stendat e shumta ku ishin të ekspozuar mijëra tituj dhe në të morën pjesë dhjetëra shtëpi botuese shqiptare nga mbarë rajoni.
k.k/NOA