Bruksel, 28 korrik, NOA - Komisioneri Evropian për Zgjerimin, Olli Rehn deklaroi se beson që mes Greqisë dhe Maqedonisë të përfundojnë njëherë e mirë mosmarrëveshjet ekzistuese për çështjen e emrit.
Sipas tij, arritja e një konsensusi mes të dyja palëve për këtë ngërç që ka kapluar raportet e këtyre dy vendeve ballkanike prej kohësh është mëse i mundur dhe çështja nuk duhet të shihet kaq e vështirë.
"Sigurisht që është e mundur të gjendet një zgjidhje për disa çështje dypalëshe si ajo e kufirit slloveno-kroat dhe mosmarrëveshja ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë për emrin", deklaroi Rehn gjatë një konference shtypi në Bruksel. Komisioneri Evropian për Zgjerimin, Olli Rehn, ka shtuar ndërkaq se "ne duhet të gjejmë zgjidhje për këto çështje së bashku me vendet e interesuara, në mënyrë që të hiqen të gjitha pengesat në procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian".
n.e/NOA