English

Shqipëria, në tetor pret përgjigje për aplikimin e saj në BE

Nga Oana Lungescu/BBC

Bruksel, 28 Korrik NOA - Bashkimi Evropian ka ndërmarrë hapat e parë drejt pranimit të Islandës si pjesë e bllokut me 27 anëtarë.

Ministrat e Jashtëm të BE-së që janë mbledhur në Bruksel i kanë kërkuar Komisionit Evropian të fillojë vlerësimin e gatishmërisë së Islandës për anëtarësi.

Bisedimet për anëtarësi me Islandën, e cila aplikoi për anëtarësi në BE pasi u godit rëndë nga kriza financiare globale, pritet të ecin përpara me shpejtësi.

Megjithatë ministri i Jashtëm suedez, Carld Bildt, mohoi se Islanda do të marrë trajtim të preferuar.

"Nuk do të ketë një proces të shpejtë për Islandën, por është e qartë se ka tashmë një proces më të shkurtër për Islandën, sepse ata janë tashmë pjesë e një tregu të vetëm dhe në zonën Shengen," tha Bildt.

"Ka edhe aplikime të tjera mbi tavolinë, është aplikimi shqiptar, megjithëse ne nuk jemi ende atje, dhe mund të ketë edhe të tjerë," tha ai dhe shtoi: "Zgjerimi mbetet një çështje e rëndësishme."

Por, siç thotë korrespondentja e BBC-së për çështjet evropiane Oana Lungescu nga Brukseli, ky hap ndaj Islandës mund të çojë në zhgënjim në mesin e vendeve Ballkanike që kanë kohë që kanë aplikuar për anëtarësi.

Islanda aplikoi për anëtarësi në BE vetëm të enjten e shkuar në përpjekje për t'i dhënë shtytje ekonomisë së saj të goditur rëndë dhe për t'u dhënë garanci investitorëve të huaj. Si pjesë e klubit të quajtur Zona Ekonomike Evropiane ky ishull i vogël në Atlantikun e Veriut zbaton tashmë gati dy të tretat e ligjeve të BE-së. Islandezët mundet gjithashtu të udhëtojnë pa kufizime në vendet e BE-së.

Megjithatë, vendet e BE-së duan t'i ofrojnë garanci të reja vendeve të Ballkanit se ato nuk do të harrohen. Ka shqetësim se vonesat mund të nxisin mungesë stabiliteti politik.

Shqipëria, që aplikoi për anëtarësi në BE në prill, ende po pret të marrë një përgjigje, për shkak të pasigurisë lidhur me rezultatin e zgjedhjeve të muajit të shkuar.

Mali i Zi priti për pesë muaj para se aplikimi t'i dorëzohej Komisionit Evropian për shqyrtim. Ndërkohë bisedimet e anëtarësimit me Kroacinë, Turqinë dhe Maqedoninë janë bllokuar për shkak të mosmarrëveshjeve midis fqinjëve, në rastin e Kroacisë, si dhe shqetësimeve ndaj zgjerimit të mëtejshëm në Gjermani e disa vende të tjera të BE-së.

Zyrtarët thonë se shpresat e Islandës për anëtarësi në BE brenda tre vitesh janë realiste. Sigurisht po të kihet parasysh se vetë islandezët janë dakord me këtë gjatë një referendumi që do të mbajnë dhe anketat më të fundit tregojnë se elektorali është i ndarë përgjysmë.

Por çfarë duhet të presin vende si Shqipëria dhe vende të tjera të Ballkanit perëndimor nga presidenca suedeze?

Për vende si Mali i Zi mund të duhet deri në një vit që komisioni të japë një përgjigje. Presidenca suedeze, megjithatë, është ndoshta një nga ato që favorizon më shumë zgjerimin. Në fakt Suedia së bashku me Britaninë, deri në një farë mase, janë ndoshta të vetmet në mesin e 27 vendeve anëtare të BE-së që flasin me zë të lartë dhe qartazi në favor të zgjerimit të BE-së, që tregon se sa çështje e vështirë është bërë zgjerimi, jo vetëm për shkak të shqetësimit të krizës ekonomike, por edhe për frikën e emigracionit, apo shqetësimit se nuk ka një traktat të ri ende.

Ekziston ndjenja se për shkak të pasigurive në vetë Shqipërinë, dhe shqetësimit për pranimin e anëtarëve të rinj në BE, blloku do të shmangë ndonjë njoftim të ri lidhur me zgjerimin deri pas zgjedhjeve gjermane më 27 shtator dhe referendumit irlandez më 2 tetor. Kështu, Shqipërisë mund t'i duhet të presë deri në tetor si afati më i afërt për të marrë ndonjë përgjigje për aplikimin e saj.

Megjithatë, Suedia, është një presidencë e mirë për vende si Shqipëria dhe ministri i Jashtëm suedez Karl Buildt ka thënë shprehimisht se ai mendon se BE-ja nuk duhet ta vonojë zgjerimin në drejtim të Ballkanit sepse kjo gjë mund të shfrytëzohet nga nacionalistët dhe të rrisë rreziqet politike.

Por edhe Britania këmbënguli që në deklaratën e mbledhjes së tanishme të Ministrave të Jashtëm Shqipëria të përmendet veçanërisht. Dhe në deklaratë është një paragraf që thotë se "BE-ja përfiton nga rasti të ritheksojë mbështetjen e saj të plotë për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor" dhe thekson se "do t'i kthehet aplikimit të Shqipërisë për anëtarësi kur procesi i zgjedhjeve shqiptare të ketë përfunduar".

Një zyrtar i BE-së, që e pyeta lidhur me procedurën e aplikimit të Shqipërisë, më tha se "ishte me të vërtetë e çuditshme që Shqipërisë iu desh më shumë se tre javë për të dalë me rezultatet përfundimtare të këtyre zgjedhjeve". Pra, BE-ja do t'i ndjekë nga afër këto rezultate, me të vërtetë me shumë kujdes!

Çfarë thonë në BE lidhur me këtë vonesë të daljes me rezultatet përfundimtare në Shqipëri?

Ata janë të çuditur. Siç e thashë, ky zyrtar më tha se ishte "shumë për t'u çuditur që pas tre javësh nuk kishte ende rezultat përfundimtar", dhe se "mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe të drejta ishte një gjë shumë e rëndësishme". Që nga fillimi Shqipëria e dinte se ky ishte një kusht i qartë dhe numërimi i votave është pjesë e procesit zgjedhor. Dhe, siç më tha mua ky zyrtar "nëse nuk mundet të numërojnë votat, kjo është shumë interesante".

KOMENTE