Prishtinë 29 korrik NOA-Policia e Kosovës duket e pashqetësuar nga ndonjë rrezik që mund t'i vijë vendit nga sulmet terroriste.
Ky vlerësim vjen pas lajmit se edhe Kosova ishte cak i një sulmi të tillë.
Edhe pse grupi është akuzuar se veç Izraelit e Jordanisë, po përgatiste dhe planifikonte sulme terroriste edhe në Kosovë, autoritetet policore nuk janë të shqetësuara.
Përmes zëdhënësit Besim Hoti, policia thotë se Kosova nuk është e rrezikuar nga sulmet eventuale terroriste.
"Nuk parashihet ndonjë situatë shqetësuese. Ne nuk kemi indikacione për sulme të tilla të mundshme. Prandaj, qytetarët e Kosovës nuk kanë nevojë që të shqetësohen për këtë", tha Hoti.
Por analistët thonë se Kosova nuk është imune ndaj terrorizmit.
Kosovari Hysen Sherifi, i arrestuar nga autoritetet amerikane bashkë me 6 persona tjerë në Karolinën Veriore, është nga Gjilani.
 Ai, bashkë me 6 persona tjerë, akuzohen për terrorizëm.
Policia e Kosovës konfirmon se herën e fundit Sherifi ka qenë në Kosovë në korrik të vitit 2008.
Informatat në lidhje me veprimtarinë e këtij personi të akuzuar për terrorizëm, autoritetet e Kosovës ia kanë dorëzuar shtetit amerikan.
Departamenti amerikan i drejtësisë ka bërë të ditur se i arrestuari 24 vjeçar Hysen Sherifi, pos tjerash, është i akuzuar edhe se ka udhëtuar në Kosovë "për t'u angazhuar në xhihad të dhunshëm".
Në anën tjetër, institucionet thonë se Kosova ka një politikë të qartë në luftën kundër terrorizmit, për zbatimin e së cilës bashkëpunojnë me të gjitha strukturat e sigurisë, si dhe me KFOR-in.
m.i/NOA
Â
Â
  Â