Nga Rajmonda Lajthia
Tiranë, 29 korrik NOA/UPDATE - Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka paralajmëruar se ekonomia në një të ardhme të afërt mund të përfshihet nga vala e rritjes së çmimeve.
Si pasojë e uljes së eksporteve, investimeve të huaja, të ardhurave nga emigrantet dhe kredidhënies kane filluar të ndjehen efektet negative të nënçmimit të kursimit të këmbimit. "Pakësimi i flukseve hyrëse valutore është shoqëruar me përkeqësimin e treguesve të bilancit të pagesave dhe lindjen e presioneve nënçmuese mbi kursin e këmbimit, duke nënvizuar rolin e qëndrueshmërisë së llogarisë koherente në ekuilibrat makroekonomikë dhe financiarë të vendit si dhe nevojën e marrjes së masave për garantimin e saj" -tha Fullani gjatë një konference për shtyp. Ai vijon më tej argumentimin duke thënë se:Â Â
"Inflacioni vjetor shënoi normën 2.3 për qind në muajin qershor, duke reflektuar një përcjellje më të plotë të efektit të nënçmimit të kursit të këmbimit mbi çmimet e mallrave të konsumit. Banka e Shqipërisë gjykon se ky faktor mund të luajë një rol më të madh në të ardhmen në përcaktimin e këtyre çmimeve, duke përbërë premisa për goditje afatshkurtra dhe afatmesme mbi nivelin e çmimeve".
Në këto kushte këshilli mbikëqyrës i BSH mbajti të pandryshueshëm normën e interesit të lekut në nivelin e 5.75%.
Fullani vlerësoi me shqetësim rritjen e shpejtë të defiçitit buxhetore.
"Të ardhurat buxhetore kanë shënuar një rritje më të moderuar, duke reflektuar pjesërisht edhe efektet e ngadalësimit të aktivitetit ekonomik. Megjithëse mbetet brenda nivelit të planifikuar për gjithë vitin 2009, deficiti buxhetor prej rreth 30 miliardë lekësh përbën një shifër shumë më të madhe krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në këto kushte, Banka e Shqipërisë do të vlerësonte marrjen e masave për kontrollin brenda niveleve të planifikuara të deficitit buxhetor dhe të huamarrjes publike, duke ndihmuar në ruajtjen e ekuilibrave të brendshëm dhe të jashtëm të ekonomisë. Ruajtja e parametrave të planifikuar buxhetorë do të ketë një ndikim pozitiv në stabilitetin makroekonomik, nëpërmjet kontrollit të stimulit fiskal mbi kërkesën agregate dhe uljes së presionit mbi tregjet monetare".
Ndërkohë institucioni më i lartë monetarë nuk është në gjendje të projektojë se sa do të jetë rritja ekonomike për periudhën në vazhdim.
"Treguesit e përkeqësuar të besimit të biznesit dhe të konsumatorit, ngadalësimi i të ardhurave buxhetore dhe treguesve specifikë të sektorëve të caktuar të ekonomisë, sugjerojnë se ritmi i rritjes ekonomike është zvogëluar. Është ende herët të konkludojmë mbi ecurinë ekonomike gjatë vitit 2009 e në vazhdim"- u shpreh Fullani.
Në këto kushte guvernatori kërkoi reforme strukturore në sektorët kyç për të pasur një rritje të qëndrueshme ekonomike. Por në kushtet aktuale nuk ka një skemë të qartë të zhvillimit të bujqësisë apo turizmit si shtylla të mundshme të rritjes së qëndrueshme. Fullani kërkoi që investimet në infrastrukturë duhet të jenë prioritet i qeverisë, por kjo e fundit ka vendosur që deri në krijimin e qeverisë së e re të ndalojë tenderimet me kosto të mëdha.
r.l/NOA
Â